Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Kujtim Gashi, thotë se nuk janë marrë parasysh kërkesat e partisë në të cilën është, për ndryshimin e Ligjit për Rimëkëmbje Ekonomike.
Sipas tij, derisa Qeveria Hoti, nuk i përfillë kërkesat e PDK-së, për futjen e disa pikave të propozuara nga ta, në Ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike, ata nuk do të japin votën pro kalimit të tij (Ligjit).
Në një bisedë për Gazeta Blic, Gashi, sqaron se kërkesat e PDK-së për Ligjin e Rimëkëmbjes Ekonomike, kanë qenë të ditura qysh në fillim të pandemisë.
Ai thekson se PDK, kërkon që të plotësohen pikat e kërkuara nga ta, për për shkak që siç thotë ai: kjo iu ndihmon qytetarëve dhe bizneseve për të dalur nga kriza ekonomike e shkaktuar nga pandemia.
“Ende nuk ka asnjë afrim nga ana e Qeverisë Hoti, për t’i diskutuar kërkesat e PDK-së, për Ligjin për Rimëkëbje Ekonomike. Derisa nuk do të ketë plotësim të kërkesave tona, ne nuk do të votojmë pro këtij ligji. Për shkak që PDK qysh në fillim të pandemisë, ka kërkuar dhe ka dhënë opsione se di duhet të ndihmohen qytetarët për të dalur nga kjo krizë.
Nëse ata nuk i përfillin kërkesat tona, ne nuk do i japim votat për kalimin e këtij ligji, ka thënë Gashi për Gazeta Blic.
Në anën tjetër, pas shumë përpjekjesh në Kuvendin e Kosovës, Ligji për Rimëkëmbje Ekonomike, ka kaluar në lexim të parë.
Mirëpo, pas shqyrtimit të këtij ligji nga ana e komisioneve përkatëse parlamentare, ende nuk është hedhur në votim të dytë, në mënyrë që ky ligj të bëhet i plotëfuqishëm.
Javën që shkoi, ishte paraparë që Ligji për Rimëkëmbje Ekonomike, të hidhet në votim tek deputetët, por një gjë e tillë nuk ndodhi për shkak të mungesës së kuorumit të nevojshëm.
Gjatë ditës, Gazeta Blic, ka folur me shefin e deputetëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, për ta pyetur rreth mundësisë së kalimit të këtij ligji.
Gashi u shpreh se ende nuk ka asgjë konkrete, por tregoi optimizëm që brenda kësaj jave të ketë lajme të mira, rreth kalimit të Ligjit për Rimëkëmbje Ekonomike.
“Jemi duke punuar për kalimin e Ligjit për Rimëkëmbje Ekonomike. Presim lajme pozitive ditëve në vazhdim”, u shpreh Gashi.