Një burrë argjentinas fitoi së fundmi një betejë ligjore kundër gjigantit të teknologjisë Google, pasi u fotografua lakuriq në oborrin e tij dhe më pas u postua në Google Street View, duke i mundësuar gjithë botës ta shihte.

Padia që burri i paidentifikuar ngriti kundër Google ka përfunduar vetëm tani, por incidenti daton që nga viti 2017. Atë vit, një veturë e Google Street View kaloi nëpër qytetin e Bragado, një qytet i vogël argjentinas rreth 200 kilometra larg Buenos Aires, pikërisht kur burri ishte krejtësisht lakuriq në pronën e tij.

Fotot e bëra nga sistemi i avancuar i kamerave të veturës e kapën atë nga pas, duke treguar të pasmet e tij. Edhe pse fytyra e burrit nuk ishte e dukshme, adresa shumë e qartë e rrugës në fotografi e bëri atë objekt talljeje të qytetit.

I lodhur nga talljet, burri vendosi të çojë Google në gjykatë për shkelje të privatësisë së tij, sipas mediave të huaja.

Një gjykatë e shkallës së parë e rrëzoi padinë vitin e kaluar, duke vendosur se burri ishte përgjegjës për situatën sepse ai po “ecte në kushte të papërshtatshme në oborrin e tij”. Por në apel, gjykata vendosi në favor të paditësit, duke argumentuar se Google kishte “ndërhyrë” në sferën private të paditësit, “duke minuar dinjitetin e tij”.

 

Kompania e teknologjisë pretendoi se gardhi i burrit ishte shumë i ulët për të mbrojtur lakuriqësinë e tij, por një hetim zbuloi se muri ishte mjaftueshëm i lartë, kështu që ky argument u hodh poshtë.

“Askush nuk dëshiron t’i duket botës ashtu siç e krijoi Zoti”, thuhej në vendim, duke shtuar se Google ishte plotësisht e vetëdijshme për detyrimin e saj për të mbrojtur privatësinë e njerëzve, siç dëshmohet nga politika e turbullimit të fytyrave dhe targave në Google Street View.

Megjithatë, në këtë rast, numri i qartë i rrugës i dukshëm në platformë e bëri shumë të lehtë identifikimin e burrit të zhveshur.

Dhoma Kombëtare e Apelit Civil të Buenos Airesit ka urdhëruar Google t’i paguajë paditësit 16 milionë peso, ose mbi 12,000 euro, në kompensim për dëmet në dinjitetin e tij.

Related Posts