Kompania Google ka prezantuar një funksion të ri në versionin beta të aplikacionit të saj të inteligjencës artificiale, Gemini, të quajtur “Personal Intelligence”.
Ky funksion i ri synon të ndryshojë mënyrën se si inteligjenca artificiale ndihmon përdoruesit në detyrat e përditshme, duke ofruar përgjigje më të personalizuara dhe më kontekstuale. Përmes tij, përdoruesit mund të lidhin disa nga shërbimet e Google-it, si Gmail, Google Photos, Search dhe YouTube, në mënyrë që Gemini të ketë qasje të sigurt në disa të dhëna personale.
Falë kësaj qasjeje, në vend që të japë vetëm informacion të përgjithshëm, Gemini mund të “kuptojë” kontekstin nga emailet, fotot apo kërkimet e mëparshme dhe të sugjerojë zgjidhje më të sakta, të përshtatura për situata specifike të përdoruesit.
Google bën të ditur se funksioni “Personal Intelligence” është i fikur si parazgjedhje dhe se përdoruesit vendosin vetë se cilat aplikacione duan t’i lidhin me Gemini. Kompania thekson se privatësia është në qendër të këtij sistemi, pasi të dhënat mbeten nën kontrollin e përdoruesit dhe përdoren vetëm pasi ai të ketë dhënë leje.
Aktualisht, “Personal Intelligence” është i disponueshëm vetëm në versionin beta në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kryesisht për abonentët e paketave Google AI Pro dhe AI Ultra. Megjithatë, Google ka paralajmëruar se ka plane për ta zgjeruar këtë funksion edhe në vende të tjera, si dhe për përdoruesit falas në muajt e ardhshëm.
Me këtë risi, Google synon të bëjë një hap përpara në konkurrencë me sistemet e tjera të inteligjencës artificiale, duke shfrytëzuar ekosistemin e vet të shërbimeve të ndërlidhura.
























