Vendi i parë në grup është synimi i Kosovës për edicionin e tretë të Ligës së Kombeve të UEFA-s. Vendi i parë vlerësohet me rëndësi të madhe për shkak se, ndër të tjera, ofron mundësi shtesë për kualifikim në Evropianin e ardhshëm, atë të vitit 2024. Madje plejofi i Ligës së Kombeve vlerësohet rrugë më e lehtë për kualifikim në Evropian sesa kualifikimet e rregullta.
Përfaqësuesja e Kosovës në futboll e ka shkelur këtë rrugë në të kaluarën, por nuk i ka shkuar deri në fund. Tani synon ta bëjë këtë rrugëtim sërish, me shpresë për fund të suksesshëm.
Shumë do të varet nga ndeshja e ardhshme, ajo me Greqinë, që zhvillohet të dielën në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, nga ora 20:45. Ndeshja me Greqinë mund të jetë më e rëndësishmja e Kosovës në kuadër të Grupit 2 të Ligës C të Ligës së Kombeve të UEFA-s, ndonëse është vetëm e dyta.
Nëse “Dardanët” kanë kampanjë të suksesshme, Greqia mund të jetë rivalja kryesore për vendin e parë në grup.
Të paktën ndeshjet e para, të luajtura të enjten, e dëshmojnë këtë. Derisa Kosova kreu detyrën duke fituar 2:0 ndaj Qipros në Larnaca, Greqia shënoi fitore të madhe ndaj Irlandës së Veriut në Belfast. Në Larnaca ishin 1550 shikues, kurse në Belfast ishin afro 17 mijë shikues. Irlanda e Veriut vlerësohet nivel më i lartë se Qipro dhe kështu grekët do të udhëtojnë të trimëruar për në Prishtinë.
Me fitore eventuale, Kosova do të shkëputej menjëherë në krye të grupit dhe do të ishte më e qetë për vazhdimin e kampanjës. Ajo nuk zgjat shumë në fakt. Në qershor janë katër ndeshje e dy të tjera në shtator. Dhe më së largu më 27 shtator do të dihet se kush do të jetë i pari në grupin C2. I pari në grup do të luajë me fituesit e tri grupeve të tjera për biletë të Evropianit 2024. Po ashtu do të promovohet në Ligën B për edicionin e ardhshëm të Ligës së Kombeve.
Greqia nuk është kundërshtare e panjohur për Kosovën. Madje është prej kundërshtareve më të njohura. Vetëm me Shqipërinë, Kosova ka luajtur më shumë ndeshje se me Greqinë. Me Shqipërinë të gjitha ndeshjet e deritashme ishin miqësore, ndërsa sa u takon ndeshjeve zyrtare, Kosova më së shpeshti është përballur me Greqinë, gjithsej katër herë.
Kosova ende nuk ka fituar ndaj Greqisë dhe për të parën herë llogaritet për të dielën mbrëma. Ndeshja e parë me Greqinë ishte ajo e luajtur më 6 shtator të vitit 2020 në kuadër të edicionit të dytë të Ligës së Kombeve. Kishte përfunduar 2:1 në të mirë të Greqisë. Më 14 tetor të vitit 2020, Greqia e Kosova kishin luajtur pa gola në Athinë. Dy barazime 1:1 u arritën në kualifikimet për Kupën e Botës 2022.
Por forma e lojtarëve të Kosovës aktualisht është dukshëm më e mirë se që ishte para katër ndeshjeve të kaluara. Shumica e lojtarëve të Kosovës kanë përmbyllur një edicion të suksesshëm. Fitorja me Qipron është rrethanë tjetër pozitive e po ashtu përkrahja që pritet të jetë nga tribunat. Kosova tashmë njeh lojën e Greqisë, ashtu si grekët e njohin lojën e Kosovës. Dhe përfaqësuesja që fiton të dielën mbrëma në Prishtinë do të bëjë hap të madh drejt pozitës së parë në grup.
Kosova ka vazhduar të premten përgatitjet, pas kthimit nga Qipro. Kanë stërvitur ata që nuk luajtën në Larnaca, ndërsa titullarët kishin rigjenerim.
“E dimë se ndeshja me Greqinë do të jetë krejt ndryshe. Greqia është një kombëtare shumë e fortë dhe me cilësi individuale, por ne edhe në këtë ndeshje shkojmë për fitore dhe shpresojmë se me tifozët tanë ‘Dardanët’ do t’ia arrijmë këtij qëllimi. Normalisht se na bëhet qejfi kur e kemi mbështetjen e madhe të tifozëve sepse ajo na jep një fuqi në stadiumin tonë. Edhe në ndeshjet që i kemi luajtur me kombëtaret e forta gjithmonë me mbështetjen e ‘Dardanëve’ kemi pasur suksese dhe shpresojmë se kështu do të jetë edhe të dielën”, ka thënë mbrojtësi Fidan Aliti.
“E rëndësishme ka qenë të fitojmë ndeshjen e parë kundër Qipros. E dimë se në pjesën e parë nuk kemi arritur të luajmë siç dimë ne të luajmë si kombëtare dhe çfarë potenciali kemi, por në pjesën e dytë e kemi treguar fytyrën tonë të vërtetë, ku kemi hyrë me më shumë vetëbesim dhe më shumë guxim. Brenda 20 minutave të parë kemi pasur shumë raste dhe mirë që i dhamë golat. Edhe pse loja s’ka qenë e mirë, rezultatin e morëm. Duhet ta dimë se kundër Greqisë ka për të qenë tjetër lojë sepse ata kanë edhe si ekip janë më të fortë se Qipro, por edhe kanë individë cilësorë, por do të jetë një ndeshje me një atmosferë tepër të mirë dhe ne e nisim lojën për t’i mbajtur pikët e plota. Në vendin tonë duhet të luajmë me shumë guxim dhe siç e kemi përfunduar ndeshjen me Qipron në pjesën e dytë, ashtu duhet të hyjmë në lojë kundër grekëve. Gjithmonë është ndjenjë speciale kur luajmë në ‘Fadil Vokrri’ sepse ‘Dardanët’ na mbështesin në mënyrë fantastike. Atmosfera ka për të qenë super dhe shumë i gëzohem kësaj ndeshjeje”, thotë Betim Fazliji.