Aty ku fillon gjithçka, në Prekaz, ka nisur vizitën e saj zyrtare në Kosovë Rudina Hajdari, deputetja e Parlamentit Shqiptar, pas promovimit të platformës së re politike, “Nisma thurje”.
Prekazi, sipas Hajdarit, simbolizon lidhjen e saj shpirtërore të trashëguar nga babai i saj, lideri i studentëve në vitet ’90-të në Shqipëri, Azem Hajdari. Një vend ku sipas saj u ngjall shpresa te shqiptarët për të qenë të lirë.
Themeluesja e nismës së re politike në Shqipëri, të hënën në orën 12:00 do të takohet me ushtruesen e detyrës së presidentit-tes, Vjosa Osmani, ndërsa paraprakisht ka paralajmëruar se do të takojë gratë deputete të Kuvendit të Kosovës.
Rudina Hajdari pasditen e 28 Nëntorit ka prezantuar “Nisma thurje” zyrtarisht si parti politike në një takim online me mbështetësit e saj për shkak të kushteve të pandemisë.
Drejtuesit e saj e vunë theksin tek ekonomia dhe rikthimi i shpresës te të rinjtë.
Nga takimet e zhvilluara gjatë kësaj kohe, Rudina Hajdari shprehet se “Nisma thurje” ka një mbështetje të gjerë pasi votuesit kërkojnë një alternativë të re. Pikë kyç e programit ekonomik të “Nismës thurje”, do të jetë thithja e investimeve të huaja.
“Nismës thurje” i janë bashkuar shumë figura të njohura politike që e shohin këtë parti si mundësinë e njerëzve të thjeshtë për t’u angazhuar në politikë.