Bedri Hamza, para delegatëve të PDK-së ka folur edhe për qeverinë që do t’ia ofrojë vendit, pas zgjedhjeve që priten të mbahen në fund të dhjetorit.
“Kosova meriton qeverisje të mirë, institucione të forta, ekonomi të qëndrueshme, diplomaci aktive, efikase dhe efektive, arsim dhe shëndetësi cilësore, drejtësi të pavarur dhe investime në siguri. Këto nuk janë dëshira të ditës, por detyrime për ne”, ka thënë ai.
Përveç një kandidature, Hamza u ka thënë delegatëve se sot votojnë edhe për një vizion të ri qeverisës.
“Ju sot votoni më shumë sesa për një kryetar. Votoni për një qeveri të punës dhe jo të propagandës. Për institucione që funksionojnë, ministra profesionistë dhe logjikë shtetformuese. Ju sot votoni për ekonomi që zhvillon prodhimin vendor, rrit punësimin dhe rrit pagat. Për rritje të investimeve kapitale, parashikueshmëri fiskale dhe partneritet me bizneset. Ju sot votoni për sistem drejtësie të pavarur, transparent dhe të pakorruptueshëm”.
“Sepse, drejtësinë ne e mbështesim, nuk e udhëzojmë. E forcojmë, nuk e ndikojmë. Ju sot votoni edhe për Kosovën euroatlantike, me integrim në BE e NATO, me partneritet të ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me forcim të sigurisë kombëtare. Ju sot votoni edhe për unitetin politik në çështjet e shtetit. Ne mund të garojmë si parti të ndryshme për ta qeverisur vendin, por në interesat shtetërore jemi bashkë. Natyrisht, me PDK-në të parën”, ka thënë Hamza.
Ai ka thënë se koha e fjalëve të mëdha dhe rezultateve të vogla në qeverisje ka përfunduar.
“Koha e polarizimit ka përfunduar. Kosova ka nevojë për qetësi politike dhe për qeveri që punon. Ne jemi gati ta marrim këtë përgjegjësi. Jo si individë, por si ekip. Jo për interes, por me mision”, ka thënë Hamza.
























