Haradinaj: Kthimi i ligjit për Dhomat e Specializuara do të ishte ofendim, lojë e ndytë ndaj Kosovës
Ish-kryetari i Aleancës, Ramush Haradinaj, e ka cilësuar si “lojë të ndytë” mundësinë e kthimit në Kuvend të ligjit për Dhomat e Specializuara nga presidentja Justina Shiroka-Pula, raporton Ekonomia Online.
Ai ka thënë se ligji është miratuar me më shumë se dy të tretat e votave të deputetëve, ndërsa ka kritikuar atë që e ka quajtur tallje me Kuvendin dhe qytetarët e Kosovës.
“Ligji tani është i Kosovës, e kanë votuar mbi dy të tretat e deputetëve të Kuvendit. Nuk kemi ndonjë informatë që kthehet ligji prapa. Unë mendoj se kjo është një lojë e ndytë. Nga kushdo që e bën këtë lojë, është një lojë e ndytë edhe është turp për ata që janë përfshirë në këtë lojë, kush do qofshin. Për shkak se koha po ecë, sikurse e dini, proceset rreth hapelimit vazhdojnë me shpejtësinë e vet”, tha ai.
Haradinaj ka thënë se kthimi i mundshëm i ligjit do të ishte ofendim pas përpjekjeve dhe përplasjeve që, sipas tij, kanë shoqëruar këtë çështje.
“Po edhe loja me ligjin, pra është një ofendim tani kthimi prapa i ligjit, nuk e kuptoj këtë. Pse duhet me na ndodh kjo? Pra, pas gjithë atyre përpjekjeve, përplasjeve, vërtet është një ofendim i radhës kthimi i ligjit prapa. Nuk e kuptoj prapë pse duhet me ja bë Kosovës, vendit, pse duhet me kaluar tema të tjera, pse duhet ende me vazhduar kjo tallje me ne, me parlamentin, me qytetarë”, tha ai.
Ai ka vlerësuar se, krahas çështjes së ligjit, Kosova po përballet edhe me mungesë të komunikimit dhe dialogut strategjik, si dhe me ngecje në proceset e integrimit euroatlantik, të cilat i ka cilësuar si rrezik për vendin.
“Kjo po e shpjegon edhe atë se çka po ndodh Kosovës, po edhe te ligji, është një sinkronizim me lëshuar Kosovën më poshtë sesa që është. Edhe mungesa e komunikimit strategjik të Kosovës, mungesa e dialogut strategjik, mungesa e përparimit në proces për anëtarësim Këshillit të Evropës, qoftë në BE, por në NATO, gjitha këto janë rrezik për Kosovën”, tha Haradinaj.


















