Bekim Haxhiu, deputet nga Partia Demokratike e Kosovës, ka kritikuar ashpër deputetin nga Lëvizja Vetëvendosje Armend Muja, për të cilin ka thënë se është “fatkeqësi” që ky i fundit e udhëheq Komisionin për Buxhet dhe Trasnfere.
Haxhiu, në Pressing, ka shtuar se parat e Trustit do t’i marrin qytetarët për të përballuar krizën në të cilën gjendet Kosova.
“Fatkeqësia e qytetarëve dhe e këtij vendi është se zotëri Muja është aksidentalisht në postin e kryetarit të komisionit, bazuar në mashtrimin e 14 shkurtit. Brenda një fjalie ka 3 gabime. Një analizë të lehtë të ja bëjmë. Thotë se deputetët do të vjedhin Trustin. Ato para nuk do t’i marrin ato para, por qytetarët që ta përballojnë krizën. E dyta tha se po shkatërrohet Trusti. Fondi pensional është ndër institucionet më kredibile në Kosovë dhe më fleksibile. Në pyetjen që ja bëra sot, i thashë se a keni propozuar ju reformë të sistemit pensional”, ka thënë deputeti i PDK-së.
Tutje, ai ka vijuar duke thënë se është e pavërtetë që do të shkaktohej inflacion i çmimeve.
“Dhe mashtrimi i katërt, që nëse futen më shumë në treg do të shkaktohet inflacion i çmimeve. Tërësisht e pavërtetë. Nuk ka para të bollshme në Kosovë. Ka mungesë monetare. Këto një njeri i tillë që të tërheq komisionin e Kuvendit, e mos ta dijë A-në dhe B-në e ekonomisë është gjynah”, përfundoi Haxhiu.