Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT), në kuadër të MINTI-t, ka vazhduar kontrollet në markete lidhur me produktet e qumështit të identifikuara në mospërputhje në raportet e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV).
Inspektimet janë realizuar në Prishtinë, Pejë, Gjilan, Mitrovicë, Gjakovë dhe Fushë Kosovë, me fokus në verifikimin e respektimit të udhëzimeve për mosshitjen e produkteve të dyshimta apo të papërshtatshme për konsum.
Rezultatet e kontrolleve tregojnë se marketet po i respektojnë udhëzimet e IQMT-së dhe po ndalojnë shitjen e produkteve të identifikuara si të papërshtatshme për konsum, në përputhje me raportet e AUV-it.
Konsumatorët mbesin pjesë e rëndësishme e këtij procesi, duke raportuar çdo parregullsi apo dyshim lidhur me produktet në treg përmes platformës Viber, në numrin e dedikuar për ankesa: +383 (0) 46 311-000.
















