Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, tha se operacioni i fundit kundër pastrimit të parave, në të cilin u sekuestruan asete me vlerë rreth një milion euro, është dëshmi e vendosmërisë së institucioneve për ta luftuar krimin e organizuar.

Në një konferencë për media, Isufaj theksoi se Prokuroria Speciale është duke trajtuar raste të ndjeshme, të cilat, sipas tij, kanë rëndësi të veçantë për shkak të bashkëpunimit ndërkombëtar dhe ndikimit që kanë në sistemin e drejtësisë në Kosovë.

“Luftimi i krimit të organizuar është një përparësi e vazhdueshme e Prokurorisë Speciale. Operacioni i 30 qershorit dërgon një mesazh të qartë se Prokuroria Speciale do të punojë ngushtë me autoritetet e zbatimit të ligjit për t’i goditur grupet kriminale”, deklaroi Isufaj gjatë konferencës për media.

Ai bëri të ditur se më 30 qershor, Policia e Kosovës, nën udhëheqjen e Prokurorisë Speciale, zhvilloi disa bastisje në kuadër të hetimeve për pastrimin transnacional të të ardhurave të siguruara nga trafikimi i drogës.

Sipas tij, dy persona ishin arrestuar fillimisht në shtator të vitit 2025, ndërsa operacioni është rezultat i një bashkëpunimi të ngushtë ndërinstitucional dhe ndërkombëtar, të ndërtuar mbi shkëmbimin e informacioneve për luftimin e krimit të organizuar.

Isufaj tha se aksione të tilla po realizohen në koordinim me autoritetet e Spanjës, Gjermanisë, Francës, Italisë, Britanisë së Madhe, Shqipërisë dhe vendeve të tjera partnere, të cilat, sipas tij, kanë vlerësuar nivelin e bashkëpunimit me institucionet e Kosovës.

Ai shtoi se operacioni i 30 qershorit është vetëm një nga një varg aksionesh të ndërmarra javët e fundit kundër grupeve kriminale.

“Disa javë më parë, operacioni ‘White Star’ përfundoi me arrestimin e pesë personave të dyshuar për pjesëmarrje në grup të organizuar kriminal. Po ashtu, në kuadër të të njëjtit hetim, gjatë muajit prill është zhvilluar një tjetër operacion që rezultoi me arrestime të tjera”, tha Isufaj.

Kryeprokurori bëri të ditur se Prokuroria Speciale do të vazhdojë me operacione të ngjashme në bashkëpunim me partnerët vendorë dhe ndërkombëtarë, me qëllim goditjen e rrjeteve të krimit të organizuar dhe konfiskimin e pasurisë së fituar në mënyrë të kundërligjshme.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Related Posts