Më 19 korrik 2022, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut hapën zyrtarisht negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, duke shënuar një hap të rëndësishëm në rrugën e tyre drejt integrimit evropian.
Gjatë konferencës së parë ndërqeveritare me BE-në, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, deklaroi se perspektiva evropiane mundëson që Ballkani Perëndimor të shndërrohet në një rajon të paqes dhe prosperitetit.
Ndërkaq, kryeministri i atëhershëm i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, theksoi se pas 17 vjetësh nga marrja e statusit të vendit kandidat, po hapej një perspektivë e re për qytetarët e vendit të tij.
Hapja e negociatave për Tiranën dhe Shkupin u bë e mundur pasi, më 16 korrik 2022, Kuvendi i Maqedonisë së Veriut miratoi propozimin francez, i cili çoi në heqjen e vetos së Bullgarisë ndaj nisjes së bisedimeve.
Maqedonia e Veriut e kishte marrë statusin e vendit kandidat në vitin 2005, ndërsa në vitin 2009 Komisioni Evropian rekomandoi hapjen e negociatave, me kusht që të zgjidhej mosmarrëveshja për emrin me Greqinë.
Pas arritjes së Marrëveshjes së Prespës në vitin 2018 dhe zgjidhjes së çështjes së emrit, procesi u pengua fillimisht nga Franca, e cila kërkoi ndryshimin e metodologjisë së zgjerimit. Më pas, Bullgaria vendosi veton, duke kërkuar zgjidhjen e mosmarrëveshjeve që lidhen me gjuhën dhe historinë.
Shqipëria e mori statusin e vendit kandidat në vitin 2014 dhe nga viti 2018 kishte rekomandimin për nisjen e negociatave. Megjithatë, për shkak se ishte përfshirë në të njëjtën paketë me Maqedoninë e Veriut, Tirana duhej të priste arritjen e një marrëveshjeje ndërmjet Shkupit dhe Sofjes.




















