Prokuroria Themelore në Ferizaj, njofton opinionin publik se ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj, caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit E.Gj.,për shkak të dyshimit të veprave penale “Mundësimi ose detyrimi në prostitucion” dhe “Ofrimi i lokaleve për prostitucion” sipas kodit penal të Republikës së Kosovës.
Sipas kërkesës së prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri E.Gj., gjatë muajit qershor të vitit 2026, në Ferizaj, rruga“Ilir Konushevci”, me dijeni në cilësinë e menaxherit, ka ofruar motelin e tij për të mundësuar prostitucionin, me të cilën kishte për të kryer veprën penale “Ofrimi i lokaleve për prostitucion nga neni 235 paragrafi 1 të kodit penal të Republikës së Kosovës.
Po ashtu, ekziston dyshimi i bazuar se gjatë muajit qershor 2026, në Ferizaj, me dashje ka mundësuar ushtrimin e prostitucionit, në atë mënyrë që i pandehuri si menaxher i motelit, ka punësuar B.XH., me qëllim që të ofronte shërbime seksuale me pagesë për klientët e tij, kështu që më 29 qershor 2026, pas zbatimit të masës së veçantë, i pandehuri është kapur në flagrancë dhe është arrestuar nga zyrtarët policorë, me të cilën kishte për të kryer veprën penale “Mundësimi ose detyrimi në prostitucion” nga neni 234 paragrafi 1 të KPRK-së.
I pandehuri me vendim të prokurorit të shtetit gjenden nën masën e ndalimit 48-orësh për veprat penale të lartëcekura.




















