Analistët parashikojnë se gjatë vitit 2026 do të falimentojnë dhjetëra marka automobilesh, pasi industria kineze e automjeteve po përballet me një luftë të ashpër tregu.

Sipas raportimeve, rreth 50 marka të ndryshme automobili po regjistrojnë humbje të mëdha financiare, ndërkohë që konkurrenca e fortë e çmimeve dhe rënia e kërkesës në tregun vendas po pamundësojnë mbijetesën e lojtarëve më të vegjël.

Kriza godet në mënyrë të veçantë prodhuesit e rinj të automjeteve elektrike, të cilët për vite me radhë u mbështetën në subvencione shtetërore.

Që nga janari 2026, mbështetja shtetërore për blerjen e veturave elektrike do të ulet për gjysmë, gjë që pritet të shkaktojë një rënie drastike të shitjeve. Deutsche Bank parashikon madje se shitjet totale të automjeteve në Kinë mund të bien për 5 për qind vitin e ardhshëm, një rënie domethënëse për tregun më të madh në botë.

Në Kinë aktualisht ka 109 marka të regjistruara automobilesh, por vetëm prodhuesit më të mëdhenj si BYD, Geely dhe SAIC kanë kapacitetin financiar për të përballuar presionin e tregut. Kompanitë më të vogla shpesh shpenzojnë më shumë për secilin automobil të shitur dhe nuk kanë kapitalin e nevojshëm për zhvillimin e modeleve të reja.

Eksportet e automjeteve nga Kina u rritën me 87 për qind vitin e kaluar, dhe pritet që ky trend të vazhdojë edhe gjatë vitit 2026, ndërsa tregjet evropiane po mbushen me automjete të lira që mund të çojnë në zhdukjen e më shumë markave të vogla. Analistët parashikojnë se deri në vitin 2030 vetëm rreth 15 marka kineze mund të mbijetojnë në treg.

Ndërsa kjo krizë prek veçanërisht prodhuesit më të vegjël, marka tradicionale globale si Volkswagen, BMW apo Toyota mbeten të forta, megjithëse edhe ato janë nën presion nga zhvillimet ekonomike dhe konkurrenca e re në treg.

Related Posts