Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, ka thënë se procesi zgjedhor në komunën e Podujevës dhe Mitrovicë të Veriut po zhvillohet normalisht dhe nuk ka të dhëna për parregullsi në procesin e deritashëm të votimit.
Daka ka thënë se duke u mbështetur në të dhënat e Komisionit Komunal Zgjedhor, “në komunën e Podujevës deri në orën 11:00 kanë votuar 8.27% e votuesve apo 7 mijë e 223 votues nga 87 mijë e 381 sa është numri i përgjithshëm i tyre. Në Zgjedhjet Lokale të vitit 2017, deri në të njëjtën orë kishin votuar 7 mijë e 658 votues apo 9.1%”.
“Ndërsa, në komunën e Mitrovicës së Veriut, deri në orën 11:00 kanë votuar 12.62% e votuesve apo 2 mijë e 942 votues nga 23 mijë e 313 votues sa është numri i tyre. Në Zgjedhjet Lokale të vitit 2017, deri në të njëjtën kohë kishin votuar 3 mijë e 324 votues apo 15.2%”, ka thënë Daka..
Daka ka kërkuar nga të gjithë qytetarët me të drejtë vote që ta shfrytëzojnë të drejtën për të votuar dhe të respektojnë masat anti-Covid të parapara nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike.
Konferenca e radhës është në orën 15:30 dhe ka të bëjë lidhur me ecurinë e procesit zgjedhor deri në atë kohë si dhe pjesëmarrjen në votime deri në orën 15:00.