Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës (KMShK) ka reaguar ndaj deklaratës së nënkryetares së Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM), Drita Morina, e cila ka paralajmëruar mbylljen e emisionit “Debat Plus” në RTV Dukagjini.

Në një vendimmarrje urgjente online, anëtarët e KMShK-së kanë dënuar ashpër këtë deklaratë, duke vlerësuar se ajo është bërë pa mbështetje në Kodin e Etikës së KPM-së.

Sipas KMShK-së, institucionet e pavarura duhet të tregojnë kujdes të shtuar gjatë shqyrtimit të ankesave të tipit SLAPP ndaj mediave, veçanërisht kur ato paraqiten nga përfaqësues të partive politike.

“Si profesionistë të mediave gjykojmë se organet e pavarura duhet të kenë shumë kujdes gjatë trajtimit të ankesave të tipit SLAPP ndaj mediave, sidomos kur ato ushtrohen nga eksponentë të partive politike”, thuhet në reagim.

KMShK i ka bërë thirrje KPM-së që të ruajë pavarësinë institucionale dhe të veprojë në përputhje me standardet e Kodit të Etikës. Po ashtu, organizata u ka kërkuar anëtarëve të KPM-së të shmangin deklaratat që, sipas saj, janë të pamatura dhe të pabazuara lidhur me cilësinë e raportimeve në mediat e vendit.

Sipas KMShK-së, deklarata të tilla përbëjnë presion të drejtpërdrejtë ndaj lirisë së shprehjes dhe lirisë së mediave.

Në fund, Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës u ka bërë thirrje anëtarëve të tjerë të KPM-së që të distancohen publikisht nga nisma të tilla, duke vlerësuar se ato mund të kenë ndikim serioz në lirinë e mediave në Kosovë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Related Posts