Komuna e Prishtinës ka njoftuar qytetarët dhe pjesëmarrësit në trafik se, pas përfundimit të një pjese të punimeve infrastrukturore në lagjen Lakrishte, është bërë riorganizimi i qarkullimit të automjeteve në rrugët “Hekurudha” dhe “Vicianum”, duke rikthyer lëvizjen në gjendjen e mëparshme.

Sipas njoftimit, ndryshimet janë bërë në bazë të vendimit të kryetarit të Kryeqytetit dhe synojnë përmirësimin e qarkullimit dhe sigurisë në komunikacion.

“Njoftohen qytetarët se, bazuar në vendimin e Kryetarit të Kryeqytetit dhe pas përfundimit të një pjese të punimeve dhe riparimeve infrastrukturore në lagjen Lakrishte, është bërë riorganizimi i qarkullimit të mjeteve motorike në rrugët ‘Hekurudha’ dhe ‘Vicianum’, duke rikthyer qarkullimin në gjendjen e mëparshme”, thuhet në njoftim.

Komuna ka sqaruar se rruga “Hekurudha” do të funksionojë me një kah të qarkullimit nga kryqëzimi me rrugën “Magjistralja M-2” në drejtim të rrugëve “Tirana” dhe “Bekim Fehmiu”, ndërsa rruga “Vicianum” do të jetë po ashtu me një kah të qarkullimit, nga kryqëzimi me rrugën “Ahmet Krasniqi” në drejtim të “Magjistrales M-2”.

“Rruga ‘Hekurudha’ do të jetë me një kah të qarkullimit, duke filluar nga kryqëzimi me rrugën ‘Magjistralja M-2’, në drejtim të rrugëve ‘Tirana’ dhe ‘Bekim Fehmiu’. Rruga ‘Vicianum’ do të jetë me një kah të qarkullimit, duke filluar nga kryqëzimi me rrugën ‘Ahmet Krasniqi’, në drejtim të rrugës ‘Magjistralja M-2’. Rrugët ‘Bekim Fehmiu’ dhe ‘Tirana’ do të vazhdojnë të jenë me dy kahje të qarkullimit”, bëhet e ditur në njoftim.

Sipas komunës, këto ndryshime janë ndërmarrë pas përfundimit të punimeve infrastrukturore në këtë pjesë të Lakrishtes dhe kanë për qëllim lehtësimin e lëvizjes së automjeteve.

“Këto ndryshime janë bërë me qëllim të përmirësimit të rrjedhës së trafikut, rritjes së sigurisë në komunikacion dhe pas përfundimit të punimeve infrastrukturore në këtë pjesë të lagjes Lakrishte”, thuhet më tej.

Komuna u ka bërë thirrje qytetarëve që të respektojnë sinjalistikën rrugore dhe të tregojnë kujdes të shtuar gjatë qarkullimit në zonat e prekura nga riorganizimi i trafikut.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Related Posts