Në tre vitet e fundit, komunave të Kosovës u janë marrë mbi 210 milionë euro si pasojë e vendimeve gjyqësore që lidhen me zbatimin e kontratave kolektive.

Pasojat e bllokimit të xhirollogarive bankare përmes përmbaruesve, po konsiderohen të padrejta, pasi po pamundësojnë realizimin e projekteve dhe investimeve kapitale.

Kështu ka deklaruar drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi.

“Në të kaluarën Komunat janë pyetur se ku po duan me iu marrë këto mjete, mirë po tani gjatë kësaj periudhe të fundit kohore atyre vetëm po iu merren mjetet edhe pse janë të zotuara dhe pastaj po shkaktojnë edhe probleme tjera zingjirore”, ka thënë Ibrahimi.

Ai ka shtuar se mungon gatishmëria e nivelit qendror për të bashkëpunuar me komunat dhe për të gjetur një zgjidhje të përbashkët.

Njëra nga komunat e prekura është edhe ajo e Deçanit, e cila tash e dy javë i ka të bllokuara xhirollogaritë bankare.

Komunat i kanë kërkuar Qeverisë për të gjetur një zgjidhje dhe të garantojë funksionimin normal të tyre, në mënyrë që qytetarët të mos privohen nga shërbimet dhe investimet publike.

RTK ka disa ditë që ka kërkuar një sqarim edhe nga Ministria e Financave, por deri më tani nuk ka marrë ndonjë përgjigje.

Related Posts