Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, i është përgjigjur deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës, Hisen Berisha, pasi tha se nga Vetëvendosje nuk ka pasur deputetë që kanë qenë pjesë e luftës.
I pari i kuvendit i numëroi deputetët që kanë qenë në luftë dhe tha se prej të gjitha grupeve parlamentare ka deputetë që kanë qenë pjesë e saj.
“Kur po thuani se nuk keni qenë pjesë e asaj kategorie. LDK po e shoh 1, në VV po i shoh 5, në PDK po i shoh dy. Kështu që nuk bën me hy andej sepse ka shumë deputetë që ofendohen e që kanë qenë (në luftë). Nuk bënë hiç të flisni në këtë drejtim dhe mendoj që prej të gjitha grupeve parlamentare kanë qenë”, ka thënë Konjufca.
Kjo erdhi pasi Berisha akuzoi deputetët e Vetëvendosjes se ka pasë shumë “shpërfaqje dhe tendenca për të mohuar vlerat e luftës dhe veteranët në veçanti”.
“Nëse keni komplekse nga fakti që s’keni qenë në periudhën e duhur pjesë e madhështisë së luftës për liri që të jetë veteran i kësaj luftës, invalid apo familje dëshmori nuk është e denjë dhe e ndershme t’i luftoni këto vlera”, tha Berisha