Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe i Diasporës, Glauk Konjufca, në Samitin IV të Diasporës që po mbahet në Tiranë, tha se bashkimi kombëtar është një proces i shumë dimensioneve, i cili duhet të nisë nga bashkëpunimi i ngushtë në kuadër të diasporës.

Konjufca vlerësoi organizimin e samitit dhe kontributin e deritanishëm, duke theksuar rëndësinë e bashkërendimit mes Kosovës dhe Shqipërisë në nismat për diasporën.

Ai u shpreh se diaspora shqiptare është një faktor kyç për forcimin e identitetit kombëtar dhe lidhjen e brezave të rinj me gjuhën dhe kulturën shqiptare.

“Bashkimi është i shumë dimensioneve, por ta fillojmë nga ky samit së pari. Është bërë një punë e mirë, por mendoj që herave të tjera, kur ta bashkorganizojmë këtë samit, nuk do të ishte keq që Kosova, shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, të gjitha trojeve shqiptare të jenë në këshillin e organizimit të këtij samiti. Duhet të identifikojmë se cilat janë projektet që forcojnë identitetin tonë dhe këto 5 shtete janë kryesore sipas meje”, pohoi Konjufca.

Sipas tij, prioritet duhet t’u jepet vendeve ku mërgata shqiptare është më e përqendruar, si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Greqia, Italia, Gjermania dhe Zvicra.

“Në SHBA kemi një mërgatë, në Greqi dhe Itali, dhe Gjermani e Zvicër janë vendimtare për mërgatën tonë dhe këtu duhet të jenë të fokusuara edhe investimet e qeverisë për të bërë projekte të përbashkëta, projekte ku të rinjtë lidhen me gjuhën dhe identitetin shqiptar”.

“Arritja më e madhe do të ishte sikur së bashku Kosova dhe Shqipëria të mund të arrinin në këto shtete të dërgonin një numër të madh të mësimdhënësve që mbulohen financiarisht nga republikat tona dhe mirëmbajnë shkollën shqipe ku është e përqendruar më së shumti mërgata jonë”, shtoi ai.

Related Posts