Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka marrë pjesë në edicionin e 30-të të Forumit 2000 në Pragë, ku ka diskutuar për rëndësinë e bashkëpunimit transatlantik për paqen dhe sigurinë në Ballkanin Perëndimor.
Në panelin “Bridging the Divide – Crafting a Transatlantic Roadmap for Tech & Economic Security”, Konjufca e ka cilësuar Kosovën si dëshmi konkrete të suksesit të bashkëpunimit transatlantik.
Sipas tij, Kosova ka shënuar përparim nga një vend i shkatërruar nga lufta në një demokraci që po zhvillohet në paqe, falë qëndrueshmërisë së institucioneve dhe partneritetit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian.
Duke iu referuar sulmeve në Banjskë dhe në kanalin e Ibër-Lepencit, Konjufca ka theksuar se institucionet e Kosovës kanë dëshmuar vendosmëri dhe kapacitet për t’u përballur me kërcënimet dhe përpjekjet për destabilizim.
Ai ka vënë në pah edhe rëndësinë e mbështetjes së vazhdueshme nga partnerët transatlantikë për mbrojtjen e sigurisë së vendit.
Në fund, Konjufca ka theksuar se përvoja e Kosovës dëshmon rëndësinë e unitetit transatlantik për sigurinë dhe të ardhmen e Ballkanit Perëndimor.


















