Tre persona nga Vushtrria janë raportuar të zhdukur, ndërsa familjarët e tyre kanë kërkuar ndihmën e qytetarëve dhe institucioneve për lokalizimin e tyre.
Sipas familjarëve, bëhet fjalë për Ejup Tërnavën, Cennet Tërnavën dhe Fatmire Shabanin, me të cilët kanë humbur kontaktin që nga mbrëmja e së dielës.
Të afërmit kanë bërë të ditur se Fatmire Shabani, e cila jeton në Gjermani, kishte ateruar në Aeroportin e Shkupit. Për ta marrë kishin shkuar vëllai i saj, Ejup Tërnava, së bashku me bashkëshorten e tij, Cennet Tërnava.
Që nga momenti kur janë nisur nga aeroporti në drejtim të Kosovës, familjarët thonë se nuk kanë arritur të kontaktojnë me asnjërin prej tyre, pasi telefonat e tyre rezultojnë të fikur ose të paarritshëm.
Familjarët bëjnë apel që kushdo që ka ndonjë informacion për vendndodhjen e tyre, ta njoftojë menjëherë Policinë ose të kontaktojë familjen. Ndërkohë, pritet edhe reagimi i institucioneve lidhur me rastin.




















