Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet që shumë shpejt të nisë numërimin e fletëvotimeve të ardhura përmes votimit me postë nga diaspora.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka bërë të ditur se fillimisht duhet të përfundojë procesi i numërimit të votave nga përfaqësitë diplomatike të Kosovës, i cili është duke u zhvilluar aktualisht.
“Aktualisht, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është duke zhvilluar procesin e numërimit të votave nga përfaqësitë diplomatike. Përpjekjet e KQZ-së janë që numërimi i këtyre fletëvotimeve të përfundojë gjatë ditës së sotme, e premte. Menjëherë pas përfundimit të këtij procesi, do të fillojë numërimi i fletëvotimeve nga votimi me postë”, ka deklaruar Elezi.
Sipas tij, nëse numërimi i votave nga përfaqësitë diplomatike përfundon gjatë së premtes, atëherë po sonte mund të nisë edhe numërimi i votave të ardhura me postë nga jashtë Kosovës.



















