Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë një takimi në Rogozhinë konfirmoi se mësuesit e Kosovës do të vaksinohen në Shqipëri, pas kërkesës së kryeministrit Albin Kurti.
Rama u shpreh se jemi krenarë që po ndihmojmë Kosovën dhe pas vaksinimit të mjekëve, do të nisë tashmë edhe vaksinimi i mësuesve.
“Ne jemi shumë krenarë që po ndihmojë edhe Kosovën, që po ndihmojmë mjekët e Kosovës. Më çoi një mesazh kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duke më falënderuar dhe duke më thënë që ‘meqë ata morën disa mijëra vaksina dhe do vaksinojë mjekët, do të dëshironte që ne të ndihmonim mësuesit. po, i thash, patjetër. Ne do të japim ato që duhet dhe që mundemi që të vaksinohet edhe mësuesit e Kosovës. Sigurisht”, deklaroi Rama.null
Kryetari i Partisë Socialiste të Shqipërisë, Rama, drejtoi akuza edhe ndaj kundërshtarëve politikë të Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, duke thënë se po bëjnë fushatë kundër vaksinimit duke ngjallur ankthe pasiguri tek njerëzit.
Ai tha se nëse duan të ndërpritet vaksinimi, duhet të votojnë Partinë Demokratike.
“Nëse doni që të ndërpritet vaksinimi, shkoni votoni ata (PD). Votojini ata. Saliu (Berisha) thotë vaksina të vdes. Ai tjetri, doktori tjetër, (Petrit) Peço Vasili, nuk ka lënë ditë pa thënë të kundërtën e asaj që duhet t’i thotë njerëzve për t’i qetësuar, për t’i motivuar në këtë luftë, për t’i inkurajuar dhe për t’i mbështetur. Përkundrazi, gjithë kohës, vetëm zi, zi, zi duke futur ankth, duke futur pasiguri, duke futur dyshime në shpirtin e njerëzve të zakonshëm, që kanë nevojë për solidaritet, që kanë nevojë për mbështetje”, vijoi Rama.
Ndryshe, në Shqipëri prej ditësh ka filluar vaksinimi masiv në tërë vendin dhe sipas autoriteteve po bëhen nga 20 mijë vaksinime në ditë.