Kryetari i Odës Ekonomike Shqiptare, Hyzer Gashi, ka pritur një delegacion të lartë nga Turqia, të përbërë nga profesorë universitarë, mjekë specialistë, drejtues institucionesh shëndetësore dhe biznesmenë nga sektorë strategjikë, të cilët kanë shprehur gatishmërinë për të sjellë investime shumëmilionëshe në Kosovë.
Delegacioni turk paraqiti plane konkrete për investime në disa fusha me rëndësi të veçantë për zhvillimin ekonomik të vendit, si:
- ndërtimi i spitaleve moderne,
- ngritja e fabrikës për përpunimin e ullinjve,
- zhvillimi i industrisë së mobiljeve,
- si dhe krijimi i mundësive të reja eksporti për prodhimet kosovare.
Në përbërje të delegacionit ishin emra të njohur nga fusha e shkencës, shëndetësisë dhe biznesit në Turqi, ndër ta: Prof. Dr. Can Eyigör dhe Prof. Dr. Hasan Havitçioğlu nga universitetet Ege dhe Dokuz Eylül, Dr. Med. Ufuk Açar nga spitali Meydan Çallı Health Group, drejtues të spitalit Güven, biznesmeni Yunus Berkiten nga industria e mobiljeve, İsmail Bahar nga sektori i ushqimit dhe ullinjve, si dhe Tayan Altun, eksportues i frutave. Pjesë e delegacionit ishte edhe Rifat Sahiti, ish-deputet i Parlamentit të Turqisë.
Në takim u diskutua gjithashtu hapja e një tregu të ri në Turqi për prodhuesit kosovarë, duke krijuar kështu një urë të rëndësishme për zgjerimin e eksportit dhe përforcimin e pozitës së Kosovës në zinxhirin tregtar ndërkombëtar.
Një tjetër aspekt i bashkëpunimit ishte edhe mbështetja për gjuhën shqipe në komunitetin shqiptar në Turqi, me synim ruajtjen e identitetit kulturor dhe lidhjes së fortë me atdheun.
Z. Gashi gjithashtu pranoi një ftesë nga bizneset e mëdha në Izmir, ku në fund të këtij viti pritet të organizohet një takim mes bizneseve turke dhe kosovare, për të krijuar partneritete të reja ekonomike afatgjata.
“Këto projekte madhore do të sjellin vende të reja pune, do të fuqizojnë prodhimin vendor dhe do të hapin perspektiva të reja për zhvillimin ekonomik të vendit. Oda Ekonomike Shqiptare do të garantojë mbështetje të plotë institucionale dhe logjistike për realizimin e tyre,” theksoi Gashi.
Ky takim vlerësohet si një hap i rëndësishëm drejt forcimit të marrëdhënieve Kosovë–Turqi, duke hapur një epokë të re të bashkëpunimit ekonomik dhe kulturor mes dy vendeve.
























