Një kurorë me lule në emër të Hashim Thaçi është vendosur mbi varrin e Sahit Jashari, gjatë ceremonive mortore të mbajtura në Prekaz.
Në shiritin e kurorës ishte shkruar: “Jetove me nder, luftove me heroizëm dhe u përjetësove me veprën tënde. U prehsh në paqe, hero i UÇK-së!”. Kurora ishte dërguar në emër të ish-presidentit Thaçi.
Pamjet nga ceremonia tregojnë familjarë, qytetarë dhe pjesëmarrës të shumtë që i dhanë lamtumirën e fundit Sahit Jasharit, një prej figurave më të njohura të familjes Jashari dhe simbol i rezistencës së Kosovës.
Vdekja e Sahit Jasharit ka ngjallur reagime të shumta nga personalitete politike, institucione dhe qytetarë, të cilët kanë shprehur ngushëllime dhe kanë vlerësuar kontributin e tij në historinë e vendit.



















