Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka prezantuar projektin për banim social adekuat në Republikën e Kosovës, duke thënë se ky është një investim i rëndësishëm për dinjitetin e familjeve, barazinë dhe sigurinë sociale, raporton Ekonomia Online.

“Sot po prezantojmë projektin e banimit social adekuat në Republikën e Kosovës, një investim ky i rëndësishëm për dinjitetin e familjeve, si dhe për barazinë e sigurinë sociale. Kësisoj po bëjmë një hap të rëndësishëm në një prej fushave që qeveria e Republikës së Kosovës të cilën e kemi vendosur në qendër të punës sonë. E kjo është përmirësimi i mirëqenies së familjeve dhe krijimi i kushteve më të mira për jetë”, ka deklaruar Kurti.

Ai ka thënë se shteti duhet të jetë mbështetje për familjet që nuk kanë mundësi të sigurojnë kushte të përshtatshme banimi.

“Një familje e cila nuk mund të ndihet e sigurt, atëherë duhet patjetër të bëhemi si shtet strehë për të. Një familje që nuk mund t’i ketë mundësitë e barabarta, atëherë duhet që t’i sigurojmë patjetër kushte të përshtatshme banimi. Dhe një shoqëri e shtet që nuk e luftojnë padrejtësinë dhe pabarazinë, atëhere ngelin edhe familjet më të cenueshme më së pari e më së shumti pa mbështetje”, ka thënë ai.

Kurti ka theksuar se çështja e banimit është trajtuar si pjesë e politikave sociale të Qeverisë, me fokus te familjet më në nevojë.

“Prandaj edhe çështjen e banimit e kemi trajtuar si pjesë të politikave tona sociale dhe të angazhimit për mirëqenien e qytetarëve, duke vënë prioritetin tek ata të cilët janë më së shumti në nevojë. Gjatë qeverisjes sonë kemi ndërmarrë një sërë masash deri më tani për t’i mbështetur familjet, veçanërisht ato me fëmijë dhe ato që përballen me vështirësi ekonomike”, është shprehur Kurti.

Ai ka përmendur edhe masat e tjera të ndërmarra nga Qeveria për mbështetjen e familjeve.

“Nga shtesat për fëmijë dhe mbështetja për nënat lehonë, te veprimet konkrete për mbrojtje sociale dhe përmirësim të standardit të jetesës. Sepse mbështetja për një familje nuk është vetëm një pagesë mujore, mbështetja është edhe mundësia që ajo familje të ketë strehim të përshtatshëm, të sigurt e dinjitoz”, ka deklaruar ai.

Sipas Kurtit, projekti është rezultat i bashkëpunimit ndërmjet institucioneve qendrore dhe komunave, me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë.

“Projekti është rezultat i një pune të përbashkët ndërmjet institucioneve qendrore dhe komunave të Republikës, me mbështetjen edhe të partnerëve tanë ndërkombëtarë. Qeveria ka siguruar financim përmes marrëveshjes së kredisë me Bankën për Zhvillim të Këshillit të Evropës në vlerë prej 25 milionë eurove. Krahas tyre kemi ndarë edhe 12 milionë euro nga buxheti i Republikës, pra kemi siguruar një fond të përgjithshëm prej 37 milionë euro e ky është gjithsesi një investim i madh”, ka thënë Kurti.

Ai ka vlerësuar se rëndësia e investimit qëndron në destinimin e tij për familjet dhe sigurinë sociale.

“Ajo që e bën edhe më të rëndësishëm këtë investim është destinimi i tij: është investim në familje, është investim në siguri, është investim në dinjitet, është investim në të ardhmen e fëmijëve. Sot kemi ardhur në një pikë ku ky angazhim po kalon nga planifikimi dhe përgatitja në fazën konkrete të zbatimit”, ka deklaruar kryeministri në detyrë.

Kurti ka bërë të ditur se në projekt do të përfshihen gjithsej 21 komuna dhe se nga ndërhyrjet e parapara do të përfitojnë qindra familje.

“Gjithsej 21 komuna do të jenë pjesë e këtij projekti dhe qindra familje do të mefitojnë nga ndërhyrjet që do të realizohen. Ato janë partnerë të rëndësishëm në zbatim, sepse nëpërmjet tyre kalojnë edhe procedurat e prokurimit, por edhe përzgjedhja e familjeve përfituese”, ka përfunduar Kurti.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Related Posts