Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, së bashku me Ushtruesen e Detyrës së Presidentes , Vjosa Osmani, mëngjesin e sotëm kanë vizituar Prekazin, për të shënuar ditën e dytë të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Kurti pas homazheve në Prekaz ka folur para mediave duke numëruar personat të cilët ranë në Prekaz për lirinë e Kosovës.
“Tre breza, gjithsej 59 veta, para 23 vjetëve u flijuan në Prekazin historik për lirinë e Kosovës. Baca Shaban dhe nëna Zahide nga 74 vjeç, daja Osman 54 vjeç, deri te Kushtimi 13 vjeç, Igballja 11 vjeç e Blerina, vajza e Hamzës 7 vjeç u sakrifikuan për çlirim, për pavarësi, për bashkim, për popullin e kombin tonë”, u shpreh Kurti.
Kurti ka thënë se për këtë sulm shtetëror të Serbisë ndaj familjes Jashari askush nuk është gjykuar.
“Nuk ka pasur asnjë gjykim për këtë krim shtetëror të Serbisë që dikush të dënohet. Drejtësia është vonuar sepse ajo as nuk ka filluar, prandaj ne si shtet duhet të angazhohemi që kjo të ndryshoj”, ka thënë Kurti.
Homazhe në Kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz gjatë paradites së sotme do të ketë edhe nga krerë institucionesh, politikanë por edhe qytetarë, për të shënuar ditën e dytë të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës