Kryeministri i vendit, Albin Kurti i zgjedhur një ditë më parë nga Kuvendi i Kosovës me 67 vota për, 30 kundër dhe asnjë abstenim ka pranuar sot edhe zyrtarisht detyrën nga kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, shkruan Insajderi.
Kurti ka pranuar zyrtarisht detyrën e kryeministrit me ceremoni shtetërore, nën intonimin e himnit të Kosovës.
Albin Kurti është zgjedhur për herë të dytë kryeministër i Kosovës.
Ndonëse Hoti, sipas protokollit shtetëror, me ceremoni shtetërore ia ka dorëzuar detyrën kryeministrit të zgjedhur Albin Kurti, njësoj s’kishte vepruar ky i fundit.
Kurti, qeveria e të cilit u rrëzua vetëm pas 51 ditësh në pushtet, kishte thënë se nuk mund ta pranonte atë që e kishte shkarkuar vetë.
Albin Kurti kishte shkarkuar Avdullah Hotin nga posti i zëvendëskryeministrit vetëm pak orë pasi ishte shkarkuar qeveria e tij më 25 mars pas mocionit të mosbesimit të iniciuar nga partia e Isa Mustafës me të cilën Vetëvendosje ishte në koalicion qeverisës.