Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, gjatë ditës së sotme ka vizituar fermerin Malësor Sejdiu, me ç’rast pa nga afër fushatën e korrje shirjeve në Komunën e Podujevës.
Duke e vlerësuar si shembull të shkëlqyer të punës, përkushtimit dhe qasjes, kryeministri tha se Sejdiu është model që dëshmon se me investime serioze, planifikim afatgjatë dhe me mbështetje institucionale, bujqësia jonë po merr një drejtim i cili është gjithnjë e më modern dhe më konkurrues.
“Sivjet, në Republikën e Kosovës janë mbjellur gjithsej mbi 75 mijë hektarë me drithëra të bardha, prej të cilave afër 72 mijë hektarë janë me grurë. Bazuar në gjendjen në terren dhe kushtet klimatike, presim rendimente mesatare prej 4 deri në 5 ton për hektar, ndërsa procesi i korrjes pritet të përfundojë deri në fund të korrikut ose nëse do të ketë reshje mund të shkoi edhe në javën e parë të gushtit në vise të caktuara të Kosovës”, tha kryeministri në detyrë Kurti.
Ai më tej shtoi se paketa e subvencioneve për vitin 2026 sjell rritje të konsiderueshme të mbështetjes edhe për sektorë të tjerë strategjikë.
“Për herë të parë kemi vendosur mbështetje shtesë prej 100 eurosh për hektarin e parë të çdo ferme, 100 euro për hektar për plehun artificial, 54 euro për hektar për naftën, si dhe 500 euro mbështetje për të rinjtë dhe të rejat të moshës prej 18 deri në 29 vjeç që regjistrohen për herë të parë për skemat e pagesave direkte”, tha kryeministri.




















