Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, është përjashtuar nga seanca plenare e 23 korrikut, pasi ka lagur me ujë Kryeministrin Edi Rama, raporton A2 CNN.

Deputetët e opozitës bllokuan foltoren teksa votoheshin projektligjet e rendit të ditës dhe në një moment ata nisën të hidhnin ujë në drejtim të Ramës, duke e lagur. Për këtë veprim, krytari i Kuvendit, Niko Peleshi, përjashtoi Bardhin nga seanca. Megjithatë ai vijoi të qëndrojë në sallë, teksa ligjet votohen njëri pas tjetrit.

Pas gati gjysmë ore Peleshi e ndërpreu sërish seancën, diçka që e ka bërë disa herë gjatë kësaj dite. Me mbërritjen e Ramës në Kuvend, tensionet u rritën sërish mes socialistëve dhe demokratëve. Më herët, mazhoranca rrëzoi me votë kërkesën e demokratëve për të zgjatur me tre muaj afatet e Komisionit të Posaçëm për Reformën Territoriale.

Taulant Balla ua bëri të qartë se komisioni e ka përfunduar funksionin dhe se treni për demokratët ka ikur.

Ndërkohë, jashtë sallës së Parlamentit, protesta qytetare u shoqërua me tensione dhe përplasje me policinë, e cila përdori edhe gazin lotsjellës për të shpërndarë turmën. Si pasojë pati të lënduar mes protestuesve dhe policisë.

Zëvendësministri Lamallari mohoi akuzat e opozitës se ndaj protestuesve është përdorur dhunë dhe lëndë e rrezikshme kimike. Perimetri i sigurisë këtë herë ishte vendosur në një hapësirë më të madhe, duke garantuar hyrjen e sigurt në sallë të deputetëve. Por, megjithatë, pati automjete që nuk i shpëtuan vezëve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Related Posts