Viti i ri 2021 ka filluar me një incident të rëndë për mbrojtësin e Galatasarayt, Omar Elabdellaou.
Mbrojtësi i Përfaqësueses së Norvegjisë, ka pësuar një incident të rëndë teksa po hidhte fishekzjarrë për të festuar ndryshimin e viteve.
Sipas informacioneve të para, ai ka pësuar dëmtime të rënda në duar dhe në sy dhe është dërguar me urgjencë në spital.
Pas publikimit të lajmit në mediat turke, erdhi edhe konfirmimi nga klubi i Galatasarayt.
“Omar mori ndihmën e parë pas këtij incidenti fatkeq. Dëmtimi në sy do të mësohet më mirë vetëm pas një kontrolli më të hollësishëm. Ai është i ndërgjegjshëm tashmë dhe nuk ka rrezik për jetën e tij”, thuhet në njoftimin e klubit turk.
Në mediat turke, bëhet e ditur se ai rrezikon të humbasë plotësisht shikimin si pasojë e këtij incidenti, që nuk është shpjeguar ende me detaje se si ka ndodhur.
Por ndërkohë klubi i Galatasarayt ka deklaruar se do të hidhte në gjyq shoferin e ambulancës, pasi ai kishte bërë foto të cilat më pas i kishte publikuar .
“Personi në ambulancë bëri foto dhe i shpërndau në rrjetet sociale. Është një mëkat. Ky person ka tre fëmijë, Galatasarayi ka 30 milionë tifozë. Ka mijëra persona, familjarë e miq të tij që janë të shqetësuar në vendlindjen e tij. Si mund të publikosh një foto kështu, është një turp”, tha zëvendëspresidenti i Galyatasarayt për ngjarjen në fjalë.
Lojtarin në spital kanë shkuar për ta vizituar kapiteni Arda Turan, trajneri Fatih Terim e zyrtarë tjerë të klubit.