Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës ka nënshkruar një kontratë madhore për furnizim me barna.
Tenderi ka vlerë 1 milion e 290 mijë e 593 euro e 87 centë dhe është i ndarë në disa lote.
Ndonëse në shpalljen e kontratës, tenderi ishte i ndarë në 11 lote, SHSKUK-ja ka nënshkruar kontratat vetëm për 6 sosh.
Vlera më e madhe e të hollave është ndarë për sigurimin e ilaçit tocilizumab, i cili zvogëlon inflamacionin dhe përdoret për trajtimin e shumë sëmundjeve, përfshirë dhe artritin.
Loti 2 i destinuar për këtë ilaç u nënshkrua me kompaninë “Meditech”, në vlerë prej 488 mijë e 309 euro e 64 centë.
Loti 4 u nënshkrua me blerjen e ilaçit paclitaxel, në vlerë prej 87 mijë e 10 eurosh, i cili do të shfrytëzohet për kimioterapi që trajton kancerin e gjirit.
Kompania që fitoi këtë lot është “Lego”, me seli në Prishtinë.
Nga ana tjetër, tenderi finalizoi edhe nënshkrimin e kontratës me kompaninë “G2 Medical SH.P.K.”, për furnizim me tenofovir disoproxil fumarate (TDF).
Vlera e kontratës është 50 mijë e 674 euro e 11 centë dhe ilaçi është i paraparë të trajtojë infeksionet e HIV-it dhe hepatitit B.
Në lotin 9 ishte paraparë furnizimi me oxaliplatin, trajtues për kancerin kolorektal, që mbyt qelizat. Kontrata me kompaninë “Lego” u nënshkrua në vlerë prej 260 mijë e 855 euro e 20 centë.
SHSKUK-ja ndau edhe 363 mijë e 300 euro për furnizim me fulvestrant. Ky injeksion hormonal trajton kancerin e avancuar të gjirit.
Kompania që fitoi tenderin është “Nini Pharm SH.P.K.”.
Loti 11 finalizoi po ashtu nënshkrimin e kontratës me kompaninë “MEDI MAX SH.P.K.”.
Kjo kompani do të furnizojë SHSKUK-në me acid zoledronic, në vlerë prej 40 mijë e 444 euro e 92 centë.
Ilaçi zakonisht jepet me infuzion dhe përdoret për të forcuar kockat dhe për të trajtuar ose parandaluar osteoporozën.
Tenderi i përgjithshëm ishte shpallur që në korrik të këtij viti dhe deri më tani janë tërhequr 25 dosje nga njoftimi tenderues.
IndeksOnline raporton se ende nuk janë nënshkruar kontratat për pesë lote tjera: loti 1 për normal immunoglobulin, loti 3 për tamoxifen, loti 5 për epirubicine, loti 7 për zoledronic acid, dhe loti 8 për cyproterone.




















