Sipas amendamentit, klub privat konsiderohet një person juridik i regjistruar me ligj, i cili përdor ambiente të mbyllura me qasje të kufizuar, të dedikuara vetëm për anëtarët e regjistruar që anëtarësohen vullnetarisht dhe paguajnë anëtarësi. Këto ambiente nuk do të jenë të hapura për publikun e gjerë.
Grupi i ekspertëve që hartoi ligjin nuk e mbështet këtë propozim, pasi vlerëson se lejimi i duhanpirjes vetëm në klube private nuk do të ndikojë në parandalimin e pirjes së duhanit, veçanërisht tek të rinjtë.
Pasi ligji të hyjë në fuqi, do të ndalohet përdorimi i cigareve elektronike dhe atyre tradicionale në institucionet publike, kompanitë, institucionet arsimore, stacionet dhe ndalesat e autobusëve, tregjet, vendet me frekuencë të lartë të njerëzve, si dhe në automjete nëse njëri nga udhëtarët është fëmijë i mitur.
Gjobat e parashikuara do të jenë nga 100 deri në 300 euro për personat fizikë dhe nga 2.000 deri në 5.000 euro për kompanitë.
Sipas ndryshimeve ligjore, objektet e gastronomisë do të kenë afat një vit për t’i përshtatur tarracat e tyre, të cilat duhet të jenë të hapura të paktën nga dy anë.