Gjatë një bisede telefonike me Donald Trumpin, disa ditë para inaugurimit të tij në vitin 2025, Sam Altman, drejtori ekzekutiv i OpenAI-së, i tha presidentit të porsazgjedhur të ShBA-së se gjatë mandatit të tij do të arrijnë inteligjencën e përgjithshme artificiale [IPA/AGI] në nivel njerëzor. Altman e ka paraqitur këtë arritje si pjesë të një gare ekzistenciale për inteligjencën artificiale [IA/AI] midis ShBA-së dhe Kinës.
Dëshira për të fituar këtë garë shpjegon shumëçka nga veprimet e qeverisë amerikane – që nga kontrollet e eksportit ndaj Kinës të administratës Biden, te projekti gjigant i qendrës së të dhënave Stargate me vlerë prej 500 miliardë dollarësh, e deri te plani i veprimit të cilin Trumpi e publikoi javën e kaluar për të përshpejtuar zhvillimin e IA-së.
Të dy vendet po investojnë fuqishëm në këtë teknologji. Por, të paktën, në pamje të jashtme, duket se kanë qëllime të ndryshme. Përderisa udhëheqësit amerikanë e kanë prioritet zhvillimin e modeleve më inteligjente të mundshme, politikanët kinezë janë më të përqendruar në zbatimin e gjerë të IA-së.
Duke përdorur zhargonin e Luginës së Silikonit [Silicon Valley], Partia Komuniste Kineze [PKK] duket shumë më pak e “fiksuar pas IPA-së” sesa homologët e tyre amerikanë. Megjithëse laboratorët kryesorë kinezë, si DeepSeek, Zhipu dhe Stepfun shprehin ambicien për të arritur inteligjencën artificiale në nivel të aftësive njerëzore, zyrtarët më të lartë të qeverisë kineze pothuajse nuk e përmendin IPA-në.
Së pari, qeveria kineze nuk ka një term zyrtar që përmbledh saktësisht atë që Altman dhe të tjerët kuptojnë me IPA-n. Termi që përdoret në Kinë është tongyong rengong zhineng, përkthimi i saktë i të cilit është “inteligjencë artificiale me qëllim të përgjithshëm”. Kjo sugjeron një sistem të aplikuar në shumë fusha, jo domosdoshmërisht në inteligjencën në nivel njerëzor.
Gjithashtu, qeveria kineze nuk po ndërmerr hapa të dukshëm për të ndërtuar infrastrukturën fizike të nevojshme për IPA. Ka qenë e ngadaltë në ndërtimin e “superklasterëve” të çipave kompjuterikë që po ndërtohen nga kompanitë amerikane të teknologjisë së lartë.
Në vend të kësaj, Xi Jinping ka theksuar rëndësinë e aplikimit praktik të IA-së. Ai ka deklaruar vazhdimisht se sektori i IA-së në Kinë duhet të jetë “i orientuar fuqishëm drejt aplikimeve”. Nga robotika industriale deri te produktet si Manus, një agjent i avancuar i IA-së, kjo tashmë po bëhet realitet.
Megjithatë, Xi ka përqafuar haptazi qëllimin për të “arritur dhe tejkaluar” ShBA-në në shkencë dhe teknologji, përfshirë edhe IA-në. Atëherë, pse jo edhe me IPA-në?
Një shpjegim është se kontrollet amerikane të eksportit e kanë penguar seriozisht aftësinë e Kinës për të siguruar fuqinë e nevojshme llogaritëse për modelet e ardhshme të IA-së. Një tjetër mundësi është se zyrtarët kinezë mund ta shohin IPA-në si një koncept abstrakt dhe jo të afërt, duke preferuar të përqendrohen në qëllime më të prekshme. Nëse Lugina e Silikonit gabon dhe inteligjenca artificiale në nivel njerëzor mbetet ende e paarritshme, atëherë përqendrimi i Kinës në aplikime do të duket largpamës.
Megjithatë, ekziston një shpjegim i tretë, më shqetësues, për qasjen e Kinës: PKK-ja, e njohur për fshehtësinë e saj të përhershme, mund të jetë duke fshehur interesin e saj për IPA-n. Kjo nuk do të ishte një dukuri e re: Kina ka ndërmarrë ndërtimin më të madh të armëve bërthamore që nga Lufta e Ftohtë, por nuk e pranon publikisht përmasën e këtij zgjerimi. PKK-ja mund të ketë frikë nga një reagim më i ashpër i politikës amerikane nëse do ta shpallte haptazi interesin e saj për IPA-n.
Kjo do të thotë se, edhe nëse ShBA-ja dhe Kina duken sikur po zhvillojnë gara të ndryshme në fushën e IA-së, konkurrenca e drejtpërdrejt mbetet e ashpër. Qoftë nëse Xi dyshon te IPA, ndjehet i kufizuar, apo fsheh synimet e veta, ekziston një rrezik i madh nga të dyja palët për një “befasi teknologjike” – kur një rival fiton papritur një aftësi teknologjike, kjo mund të rrisë rrezikun e konfliktit.
Nëse afati i Altmanit është i saktë dhe ShBA-ja arrin shpejt IPA-në në nivel njerëzor, duke e befasuar Pekinin, atëherë Kina mund të frikësohet nga një humbje e pakthyeshme strategjike. Ajo mund të veprojë për ta rikuperuar këtë epërsi përmes një sërë mjetesh pushteti – duke përfshirë operacione të ofensivës kibernetike, shtrëngim ekonomik, presion diplomatik apo madje edhe forcë ushtarake.
Përndryshe, nëse udhëheqësit e Kinës po fshehin përpjekjet e tyre për IPA-në, atëherë ShBA-ja mund të përballet me një tronditje të pakëndshme dhe të ndërmarrë veprime për të rivendosur ekuilibrin.
Këta skenarë nxjerrin në pah një të vërtetë thelbësore strategjike: veçmas, si përshkallëzimi i rivalitetit ShBA-Kinë ashtu edhe shpërthimi i risive në API janë ngjarje që ndryshojnë botën. Por, së bashku, njëkohshmëria dhe ndërthurja e tyre krijojnë një rrezik të paprecedentë.
Përballë kësaj situate, politikanët anembanë botës janë të papërgatitur për të menaxhuar këto zhvillime të kombinuara strategjike dhe teknologjike. Shumë prej tyre e kanë të vështirë të qëndrojnë të përditësuar me zhvillimet në IA, e lëre më të përgatiten për pasojat e risive gjeopolitike. Por, që tani ata duhet të fillojnë me përgatitjet, për të zbutur këto rreziqe. Vitet që do vijnë do të jenë shumë më të rrezikshme sesa e kuptojnë shumica e investitorëve dhe vendimmarrësve të kësaj teknologjie.