Deputetja e LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu ka reaguar pas zhvillimeve të fundit në seancën parlamentare, duke e cilësuar atë më shumë si një platformë partiake sesa një proces të mirëfilltë institucional.
Përmes një postimi në facebook, Lushaku-Sadriu kritikoi mungesën e trajtimit të propozimit të paraqitur nga subjekti i saj politik, duke theksuar se çështja kryesore zgjidhja konkrete për Presidentin nuk është adresuar fare gjatë diskutimeve.
“Dy orë diskutime në një seancë që i ngjante më shumë një platforme partiake sesa një procesi institucional. Asnjë trajtim, asnjë fjalë, asnjë qëndrim për propozimin tonë: çështjen e vetme thelbësore, pra zgjidhjen konkrete për President.
Pyetja mbetet e njëjtë, e drejtpërdrejtë dhe e domosdoshme:A i keni 66 vota për propozimin tonë?Pa një përgjigje të qartë për këtë pyetje, çdo diskutim tjetër mbetet i paplotë dhe i pamjaftueshëm për zgjidhjen e situatës institucionale. Mbetet veçse një show propagandistik”, ka shkruar deputetja.



















