Kandidati për deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Mergim Lushtaku, i është kundërpërgjigjur ushtrueses së detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, pas deklaratave të saj në një intervistë të fundit, ku kishte sulmuar kryetarin e Skenderajt, Sami Lushtakun, duke thënë se “u bë milioner nga politika dhe se duhet të japë llogari”.
Lushtaku ka reaguar me një postim të gjatë në Facebook, ku ka pyetur Haxhiun se “në çfarë forme e futi gazin lotsjellës në Kuvendin e Kosovës në vitin 2016?“.
Postimi i plotë:
Edhe Albulena Haxhiut i paska ardhur rendi të flasë për Sami Lushtakun.
Kam vetëm një pyetje për të: në çfarë forme e futi gazin lotsjellës në Kuvendin e Kosovës në vitin 2016?
Qytetarët meritojnë ta dinë se si u organizua ai akt që e turpëroi institucionin më të lartë të shtetit.
Sa i përket bashkëshortit të saj, Alban Krasniqit, ai vazhdimisht ka nxitur gjuhë urrejtjeje dhe përçarje politike.
Ngjarja tragjike e janarit të vitit 2011, ku persona të maskuar nga familja e tij u përfshinë në vrasjen e Skender Limajt dhe plagosjen e Azem Limajt dhe Ilir Limajt për motive politike, mbetet një plagë e rëndë për opinionin publik dhe për vetë demokracinë në Kosovë.
Kur njerëz me një të kaluar të tillë tentojnë të paraqiten si moralizues, kjo është shqetësuese.
Kosovës i duhet qetësi, përgjegjësi dhe gjuhë bashkimi, e jo urrejtje, përçarje dhe standarde të dyfishta.











