Zëdhënësi i Qeverisë në detyrë, Arlind Manxhuka, ka reaguar pas raportimeve se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ishte takuar më herët me Fehim Salin, i cili më 13 gusht u arrestua në pikën kufitare në Merdar nën dyshimin për spiunazh.
Në një postim, Manxhuka ka thënë se Kurti gjatë mandatit të tij ka pritur në takim dhjetëra organizata të komuniteteve joshumicë të regjistruara dhe që operojnë në Kosovë.
“Dhjetëra organizata të pakicave me delegacione të tyre që janë të regjistruara dhe operojnë në Kosovë, Kryeministri Kurti i ka pritur në këto pesë vjet e gjysmë”, ka shkruar Manxhuka.
Ai ka shtuar se institucionet e sigurisë nuk bëjnë përjashtime dhe se, sipas tij, AKI-ja po zbulon gjithnjë e më shumë elemente të dyshimta të spiunazhit.
“Ne nuk bëjmë detektorin e askujt dhe as s’japim amnesti për askënd. Por, tash si asnjëherë më parë, institucionet e sigurisë, si AKI janë duke zbuluar gjithnjë e më shumë elemente të tilla të dyshimta spiunazhi, për çka i përgëzojmë për punën”, ka deklaruar Manxhuka.
Fehim Sali u arrestua më 13 gusht në Merdar me urdhër të Prokurorisë Speciale. Sipas raportimeve, ai dyshohet se për një periudhë të gjatë ka bashkëpunuar me Agjencinë serbe të Inteligjencës (BIA). Autoritetet kanë njoftuar se hetimet për rastin po vazhdojnë.




















