Qarkullimi në disa nga rrugët kryesore që lidhin Prishtinën me Fushë-Kosovën dhe Pejën do të kufizohet sot, për shkak të mbajtjes së maratonës ndërkombëtare “Prishtina 2026”.
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, bllokimet do të nisin nga ora 09:00 dhe do të vazhdojnë deri në përfundimin e garës.
Ndërprerja e qarkullimit do të bëhet në rrugën Prishtinë–Fushë-Kosovë, në drejtim të Pejës dhe anasjelltas, deri te kyçja në autostradën “Ibrahim Rugova”. Kufizime do të ketë edhe në segmente të tjera rrugore, përfshirë një pjesë të autostradës.
Për të shmangur ngarkesat dhe pengesat në komunikacion, Policia ka përcaktuar disa rrugë alternative.
Ngasësit që udhëtojnë nga Peja drejt Prishtinës udhëzohen të kalojnë përmes Sllatinës, Magurës dhe Lipjanit. Ndërsa për qarkullimin nga Peja dhe Fushë-Kosova rekomandohet rruga përmes Sllatinës, Bardhit të Vogël dhe Kuzminit.
Për ata që udhëtojnë nga Prishtina ose Veterniku drejt Pejës dhe Aeroportit të Prishtinës, Policia rekomandon itinerarin Prishtinë–Lipjan–Rufc i Ri–Poturoc–Magurë–Aeroport.
Ndërkaq, ngasësit që vijnë nga Mitrovica dhe udhëtojnë drejt Pejës ose Aeroportit këshillohen të përdorin autostradën nga Mazgiti në drejtim të Shkupit, e më pas të vazhdojnë përmes Lipjanit, Rufcit të Ri, Poturocit dhe Magurës.
Policia ka bërë të ditur gjithashtu se autobusët në relacionin Prishtinë–Fushë-Kosovë–Aeroport dhe në drejtim të Pejës nuk do të lejohen të qarkullojnë në rrugën e bllokuar gjatë kohës së maratonës, por duhet të përdorin rrugët alternative.
Policia u ka bërë thirrje pjesëmarrësve në komunikacion që të respektojnë sinjalizimin dhe udhëzimet e zyrtarëve policorë gjatë kohës së garës.
Maratona “Prishtina 2026”, bllokohen disa rrugë në Prishtinë dhe Fushë-Kosovë



















