Në fund të muajit dhjetor do të nis pushimi dimëror për nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme në Kosovë.
Këtë e ka bërë të ditur zëdhënësja e Ministrisë së Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, Iliriana Pylla, duke potencuar se procesi mësimor për nivelin fillor dhe të mesëm në Kosovë do të përfundoj më 30 dhjetor dhe se pushimi do të nis nga data 31 dhjetor.
“Sipas vendimit të fundit të MASHTI, procesi mësimor do të përfundoj më 30 dhjetor, dhe pushimi dimëror do të zgjasë deri më 10 janar në rast se nuk ndryshon ky vendim gjatë ditëve të ardhshme”, ka thënë Pylla për Telegrafin.
Ndryshe Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit Shkencës dhe Kulturës (SBAShK), Rrahman Jashari, ka bërë të ditur se pushimi dimëror do të fillojë më vonë se sa që është paraparë kjo për arsye të vonesës së fillimit të vitit të ri shkollor, pas situatës së krijuar nga virusi COVID-19 në vend.
“Pushimi dimëror do të fillojë më vonë dhe është planifikuar zëvendësimi të të gjitha ditëve të humbura. Uroj që Ministria e Shëndetësisë por edhe Task-Forca brenda MAShT-it ta përcjellin situatën jo vetëm në Kosovë por edhe rreth nesh. Mësimdhënësit do të veprojnë sipas situatës dhe t’i respektojnë vendimet e IKShPK, Ministrisë së Shëndetësisë por edhe të MAShTI”, kishte thënë Jashari.
MASHTI në konsultim me gjithë akterët e tjerë të arsimit kishin marrë vendim për kompensimin e ditëve të humbura për vitin shkollor 2021-2022. Kompensimi i ditëve të humbura është vendosur të mbahet të shtunave, dhe ka nisur që nga data 9 tetor 2021, kur edhe do të përfundoj më 24 qershor 2022.