Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se po vazhdon procesi i regjistrimit të votuesve jashtë Kosovës për zgjedhjet e 7 qershorit, ndërsa interesimi i diasporës mbetet i lartë që nga hapja e aplikimeve më 6 maj.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka deklaruar se deri më 10 maj, në orën 10:00, përmes platformës elektronike janë pranuar gjithsej 36,154 kërkesa për regjistrim të votuesve jashtë vendit.

Sipas tij, deri tani janë aprovuar 25,376 aplikime, 2,961 janë refuzuar, ndërsa 7,797 të tjera mbeten në pritje të shqyrtimit.

“Nga aplikimet e aprovuara, 6,280 shtetas janë regjistruar për votim fizik në përfaqësi diplomatike, 701 për dërgimin e pakos me fletëvotim në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë, ndërsa 18,395 kanë zgjedhur dërgimin e votës në kutitë postare jashtë Kosovës”, ka bërë të ditur Elezi.

Para nisjes së regjistrimit, KQZ ka miratuar listën e qendrave të votimit në përfaqësi diplomatike dhe ka përcaktuar numrin maksimal të votuesve që mund të regjistrohen për votim fizik jashtë vendit.

Sipas vendimit të institucionit zgjedhor, votimi do të organizohet në 48 përfaqësi diplomatike, përkatësisht në 33 ambasada dhe 15 konsullata, me gjithsej 70 vendvotime. Numri maksimal i votuesve që mund të regjistrohen për votim fizik është 66,450.

KQZ ka sqaruar se ky kufizim vlen vetëm për votimin fizik në përfaqësi diplomatike, ndërsa regjistrimi për votim përmes postës mbetet pa kufizim numerik. Në rast se plotësohet kapaciteti maksimal në një përfaqësi diplomatike, aplikuesit do të orientohen drejt formave të tjera të votimit me postë.

Ndërkohë, pas përvojës nga zgjedhjet e fundit, KQZ ka vendosur edhe kritere të reja për organizimin e votimit fizik jashtë vendit. Një përfaqësi diplomatike duhet të ketë të paktën 50 votues të regjistruar për të organizuar procesin e votimit fizik.

Në rast se numri i regjistrimeve mbetet nën këtë prag, votimi fizik nuk do të mbahet në atë përfaqësi diplomatike dhe votuesit do të kalojnë automatikisht në listën e votuesve me postë, për çka do të njoftohen nga KQZ.

Institucioni zgjedhor ka bërë të ditur gjithashtu se, sikurse në zgjedhjet e fundit lokale dhe parlamentare, votuesve të regjistruar për votim me postë do t’u dërgohet pakoja me fletëvotim në adresat e tyre.

Votimi në përfaqësi diplomatike do të mbahet më 6 qershor 2026, një ditë para zgjedhjeve në Kosovë. Procesi i votimit do të zhvillohet nga ora 07:00 deri në 19:00, sipas kohës lokale të shtetit përkatës.

Ndërsa votimi përmes postës do të nisë më 25 maj dhe do të zgjasë deri më 6 qershor.

Related Posts