Kryeministri britanik, Keir Starmer, ka njoftuar zyrtarisht njohjen e shtetit palestinez nga Mbretëria e Bashkuar, në atë që shihet si një ndryshim i madh në politikën e jashtme të Mbretërisë së Bashkuar.
Në fillim të videos së postuar në mediat sociale, Starmer thotë: “Përballë tmerrit në rritje në Lindjen e Mesme, ne po veprojmë për të mbajtur gjallë mundësinë e paqes dhe të një zgjidhjeje me dy shtete”.
“Kjo do të thotë një Izrael i sigurt dhe i mbrojtur së bashku me një shtet të qëndrueshëm palestinez – për momentin nuk kemi asnjërën”, shtoi ai.
Kryeministri britanik më pas vazhdon duke thënë se momenti për njohjen e shtetësisë palestineze “tani ka ardhur”.
“Pra, sot, për të ringjallur shpresën e paqes dhe një zgjidhjeje me dy shtete, unë deklaroj qartë, si kryeministër i këtij vendi të madh se Mbretëria e Bashkuar e njeh zyrtarisht shtetin e Palestinës”.
Kjo vjen menjëherë pasi Kanadaja dhe Australia vendosën të njohin Palestinën si shtet sovran.
Starmer thotë se është takuar me familjet britanike të pengjeve të mbajtura nga Hamasi në Gaza dhe sheh “torturën që ata durojnë çdo ditë” dhe dhimbjen që godet thellë në zemrat e njerëzve në Izrael dhe Mbretërinë e Bashkuar.
Pengjet duhet të lirohen menjëherë, thotë Starmer, duke shtuar se “ne do të vazhdojmë të luftojmë për t’i kthyer ata në shtëpi”.
“Thirrja jonë për një zgjidhje të vërtetë me dy shtete është e kundërta e vizionit të urryer (të Hamasit)”, shton ai.



















