Qeveria meksikane do të ndërtojë një superkompjuter me një kapacitet përpunimi shtatë herë më të madh se kompjuteri aktual më i fuqishëm në Amerikën Latine, thanë zyrtarët përgjegjës për projektin.
I quajtur Coatlicue, sipas një perëndeshe në mitologjinë azteke që përfaqëson burimin e fuqisë dhe jetës, kompjuteri do të ketë një kapacitet përpunimi prej 314 petaflopësh, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
“Ne duam që ai të jetë një superkompjuter publik, një superkompjuter për njerëzit”, u tha presidentja Claudia Sheinbaum gazetarëve.
Një garë globale është duke u zhvilluar për të ndërtuar superkompjuterë gjithnjë e më të shpejtë që të punojnë së bashku me sistemet e IA-së.
Shtetet e Bashkuara aktualisht kryesojnë këtë fushë, por Evropa dhe Japonia gjithashtu kanë modele në 10 më të mirat, sipas një renditjeje të industrisë së informatikës me performancë të lartë.
Një petaflop është i barabartë me 1,000 trilion llogaritje në sekondë, një numër i shprehur si 10 në fuqi 15.
Pegaso, një kompjuter brazilian në pronësi private, aktualisht vlerësohet si më i fuqishmi në Amerikën Latine me 42 petaflopësh.
Ndërtimi i Coatlicue do të fillojë në janar dhe do të zgjasë 24 muaj me një kosto totale prej gjashtë miliardë peso (rreth 280 milionë euro), tha Jose Merino, drejtor i Agjencisë së Transformimit Dixhital të Meksikës.
Ai shtoi se përdorimet kryesore të superkompjuterit do të jenë zgjidhja e çështjeve publike që kërkojnë kapacitet të lartë informatik, siç janë parashikimi i klimës, planifikimi i mbjelljes dhe korrjes së të korrave, si dhe projektet e ujit, naftës dhe energjisë.
























