Pas 10 ditësh të ngujuar në minierë, minatorët e Trepçës mbrëmë në mes të natës kanë ndërprerë grevën që kanë nisur nga 24 tetori, pas një marrëveshje që tashmë është arritur.
Lajmin e kanë konfirmuar për Sinjalin nga Sindikata e Pavarur e Minatorëve të Trepçës, me ç’rast është bërë e ditur se marrëveshja erdhi pas një takimi që kanë pasur minatorët me disa deputetë të pushtetit, përfaqësues të Bordit të ndërmarrjes Trepça dhe Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik.
“Po, është ndërpre. Kanë qenë disa deputetë të Vetëvendosjes, Armend Muja, Arjeta Fejza. Është bërë marrëveshje”, kanë thënë shkurt për Sinjalin.
Ndonëse nuk dihet se çka realisht përmban kjo marrëveshje, minatorët u futën në grevë për shkak të pakënaqësive me kushtet e punës, duke kërkuar realizimin e pagës mujore me kohë, sigurimin shëndetësor dhe shkarkimin e menaxhmentit të Trepçës, të cilin e fajësojnë për kushtet jo të mira.