Në një mot të paqëndrueshëm, pasditen e 28 nëntorit 1912, Ismail Qemali dhe delegatët e tjerë shpallën Pavarësinë e Shqipërisë. Ngritja e flamurit kuqezi shënoi fundin e sundimit osman dhe kurorëzoi përpjekjet shekullore të popullit shqiptar për liri.
Akti i Shpalljes së Pavarësisë përbën një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e popullit shqiptar. Ai ishte fryt i përpjekjeve dhe i luftërave shekullore të shqiptarëve, për të mbrojtur tërësinë tokësore të atdheut dhe për të formuar shtetin e pavarur shqiptar. Me vendimin e Kuvendit të Vlorës, kombi shqiptar fitoi të drejtën e tij të pamohueshme për të qenë i lirë e i pavarur, krahas kombeve e popujve të tjerë të Evropës.
“Kuvendi u hap menjëherë në sesionin e tij të parë. 28 Nëntor 1912. Ai shpalli njëzëri mëvetësinë e Shqipërisë. Menjëherë pas votimit, të gjithë dolëm nga salla për të ngritur lart në shtëpinë time, në shtëpinë ku kisha lindur e ku kishin jetuar stërgjyshërit e mi… flamurin labë të Skënderbeut, i cili flinte i palosur prej 445 vjetësh”, shprehej në shënimet e tij Ismail Qemali.
Në këtë “Exclusive”, Ismail Qemalin do ta portretizojmë përmes Mjeshtrit të Madh, aktorit Fatos Sela, që interpretoi rolin e Babait të Pavarësisë, në një dokumentar të realizuar nga Top Channel në 100-vjetorin e Pavarësisë.
“Ishte një çast i paharrueshëm për mua dhe ndjeva duart që më dridheshin nga emocioni ku po ngrija në ballkonin e shtëpisë sime flamurin e sovranit të fundit shqiptar dhe dukej sikur shpirti i pavdekshëm i heroit shkëlqeu atë çast si një dritë e shenjtë përmbi kokat e njerëzve”, shkruante Babai i Pavarësisë.
Por, si arriti ky plak mjekër-bardhë të shpëtonte një popull të tërë? Si u realizua akti i Pavarësisë? Historianët tregojnë se Shqipëria e lirë ishte fryt i një procesi të gjatë, i cili fillon që nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit në 1878 deri në vitin 1912. Dokumentet historike nxjerrin në dritë fakte të reja mbi disa akte të rëndësishme të Ismail Qemalit para vitin 1912 kundër xhonturqve. E tillë ishte kryengritja e vitit 1902 kur Qemali u bë protagonist i një grushti shteti për të rrëzuar Sulltan Abdyl Hamitin e Dytë nga froni.
“Bëhet fjalë për vitin 1902 kur në Kongresin Xhonturk të Parisit, Ismail Qemali së bashku me 5-6 shkrimtarë të tjerë vendosën të ndajnë pikëpamjet dhe mendimet e tyre lidhur me të ardhmen e shtetit Osman dhe shqiptarëve brenda kësaj perandorie. Në Kongresin Xhonturk të Parisit në 1902, Ismail Qemali bën pjesë në një rrymë së bashku me Princ Sabaudinin, sipas të cilëve Perandoria Osmane mund të reformohej duke bashkëpunuar me faktorin ndërkombëtar të kohës, por edhe duke përdorur ushtrinë që t’i imponohej Sulltanit. Ishte dhe një grup tjetër që kryesohej nga Ahmet Riza Pasha, që më vonë do të jetë kryetar i parlamentit Osman, i cili mendonte se Perandoria do të reformohej vetëm së brendshmi, pa përfshirjen e faktorëve të jashtëm”, thotë historiani Hasan Bello.
















