Moderatori dhe producenti i njohur shqiptar, Ardit Gjebrea, është paraqitur këtë të premte në ambientet e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) në Tiranë.
Lajmi është raportuar nga Vox News, që ka publikuar edhe pamje nga ambientet e institucionit.
Deri tani, nuk dihet arsyeja e paraqitjes së moderatorit dhe as në çfarë cilësie është thirrur në SPAK.
Kujtojmë se emri i Gjebreas është përmendur më herët në raportime mediatike lidhur me financimet e festivalit “Kënga Magjike” nga Bashkia e Tiranës, gjatë drejtimit të saj nga Erion Veliaj.
Megjithatë, nuk ka ende konfirmim nëse paraqitja e sotme lidhet me këto raportime apo me ndonjë çështje tjetër.
Pritet të mësohen detaje të tjera lidhur me arsyet e vizitës së tij në Prokurorinë e Posaçme.


















