Një rast i përdorimit të ambienteve me qira për të fshehur dhe shitur lëndën narkotike është zbuluar në Shkodër.
Gjatë operacionit “Target Group” u arrestuan në flagrancë N. F. (18 vjeç) dhe K. Z. (20 vjeç), të dy banues në Shkodër, ndërsa u shpall në kërkim bashkëpunëtori i tyre, L. A. (23 vjeç), i cili kishte marrë me qira ambientin ku fshihej droga, shkruan rtsh.al.
Ata u arrestuan në lagjen “Manush Alimani”, me doza të lëndëve të dyshuara narkotike kokainë dhe Cannabis Sativa, të cilat i posedonin me qëllim shitjen, kryesisht tek moshat e reja.
Edhe ambienti i marrë me qira ishte marrë po në lagjen “Manush Alimani”, nga bashkëpunëtori i tyre L. A., 23 vjeç, ku bashkë me dy të arrestuarit, fshihnin lëndën narkotike dhe e përgatitnin në doza për shitje.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një sasi e madhe dozash të lëndëve të dyshuara narkotike kokainë dhe Cannabis Sativa, qindra qese farmaceutike për paketimin e tyre, 5 peshore elektronike, 2 celularë, 1 armë e ftohtë (shkop metalik), 1 motomjet që përdorej për këtë veprimtari kriminale dhe një shumë parash e dyshuar e përfituar prej saj.
Vijon puna për kapjen e shtetasit në kërkim dhe për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale.
Materialet procedurale iu kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme hetimore.



















