Federico Dimarco është shpallur lojtari më i mirë i Serie A për sezonin 2025/26, duke kurorëzuar një edicion të jashtëzakonshëm me fanellën e Interit, skuadër që fitoi Scudetton dhe Kupën e Italisë.
Mbrojtësi i majtë i “Nerazzurrëve” vendosi edhe rekord të ri historik për asistime në një sezon të vetëm në elitën italiane, pasi e mbylli kampionatin me gjashtë gola dhe 18 asistime – numri më i lartë i asistimeve i regjistruar ndonjëherë në një edicion të Serie A.
Serie A publikoi edhe listën e plotë të fituesve të çmimeve individuale për sezonin 2025/26.
Federico Dimarco u shpall lojtari më i mirë i kampionatit, ndërsa Kenan Yildiz i Juventusit fitoi çmimin “Ylli në ngritje”.
Portieri më i mirë i sezonit u shpall Mile Svilar i Romës, ndërsa Marco Palestra i Cagliarit fitoi çmimin si mbrojtësi më i mirë.
Në repartin e mesfushës, Nico Paz i Comos u vlerësua si mesfushori më i mirë i sezonit pas paraqitjeve mbresëlënëse, ndërsa Lautaro Martinez i Interit fitoi çmimin për sulmuesin më të mirë.
Trajneri më i mirë për sezonin 2025/26 u shpall Cristian Chivu, i cili udhëhoqi Interin drejt suksesit në kampionat dhe Kupën e Italisë.
Çmimi “Ylli në ngritje” për Yildiz konfirmon besimin e Juventusit te sulmuesi i ri turk, pavarësisht një sezoni të vështirë për klubin torinez.
Ndërkohë, çmimi i Marco Palestras, i fituar gjatë huazimit te Cagliari nga Atalanta, pritet ta rrisë edhe më shumë interesimin për mbrojtësin gjatë afatit kalimtar veror, ku për të janë përmendur Interi dhe klube të tjera.
Sa i përket Nico Paz, vlerësimi si mesfushori më i mirë i Serie A i jep edhe më shumë peshë deklaratave të Cesc Fabregas, i cili ka insistuar se argjentinasi ose do të qëndrojë te Como, ose do t’i bashkohet Real Madridit.











