Policia e Kosovës ka bërë të ditur se të premten pasdite kanë ndjekur një automjet, drejtuesit e të cilit kanë ikur pasi refuzuan të ndalen në pikën e kontrollit.
Automjeti është lokalizuar dhe ndaluar, ndërkaq gjatë kontrollit është gjetur sasi e madhe e drogës së llojit marihuanë.

“Më pas njësi të ndryshme policore arrijnë që veturën ta lokalizojnë dhe ta ndalojnë. Policia, konkretisht hetuesit policorë nga Njësia e Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë (DHTN)- Ferizaj, duke kontrolluar rrugën nga dyshohej se ishte larguar vetura, në një vend me mbeturina kanë gjetur të hedhura tre thasë me substancë që dyshohet të jetë narkotike e llojit marihuanë. Substanca narkotike dyshohet të jetë hedhur nga vetura që i ishte shmangur ndalimit policor”, thuhet në njoftim.
Pesha e përgjithshme e substancës së gjetur dhe konfiskuar është 17 kg e 834.6 gr. Po ashtu lidhur me rastin janë sekuestruar edhe dëshmi tjera relevante me rastin.
“Nën dyshimin për përfshirje në veprën penale ‘Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikeve, substancave psikotrope dhe analoge’, janë arrestuar dy të dyshuar: F.K., (viti i lindjes 1961, mashkull shtetas i Republikës së Shqipërisë) dhe A.C.., (viti i lindjes 2001, mashkull shtetas i Republikës së Maqedonisë së Veriut)”, thuhet më tej.
Për rastin është njoftuar prokurori kujdestar i PTh Ferizaj dhe në koordinim më të është trajtuar rasti. Me aktvendim nga prokurori, dy të dyshuarit janë dërguar në mbajtje deri në 48 orë.



















