Rreth 50 trajnerë kanë aplikuar deri më tani për postin e përzgjedhësit të Përfaqësueses së Kosovës në futboll. Posti i selektorit të Kosovës aktualisht është vakant. Zvicerani Bernard Challandes u nda me FFK-në muajin e kaluar, ndërsa slloveni Primozh Gliha e udhëhoqi Kosovën në dy ndeshjet e këtij muaji.
Gliha vlerësohet njëri prej rreth 50 trajnerëve që tashmë kanë pretendime për të drejtuar “Dardanët”.
E ky numër pritet të dyfishohet deri në fund të muajit të ardhshëm, kur Federata e Futbollit të Kosovës do ta mbyllë procesin e aplikimit. Kështu ka thënë kreu i FFK-së, Agim Ademi, të premten për KOHËN. Challandes u largua më 12 tetor, kurse që prej ndarjes me të FFK-ja ka qenë e hapur për të gjithë trajnerët e interesuar që të jenë në krye të Kosovës. Për miqësoren me Jordaninë dhe duelin e fundit të ciklit eliminator për Botërorin “Katari 2022” ndaj Greqisë, Kosovën e udhëhoqi ndihmësi i Challandesit, Primozh Gliha, që ishte i emërua përkohësisht në postin e përzgjedhësit.
FFK-ja të enjten mbrëma bëri të ditur se ka nisur me shqyrtimin e kandidaturave që ka pranuar deri më tani. I pari i futbollit kosovar, Ademi, ka pranuar se ka mbetur i befasuar për të mirë me numrin e madh të trajnerëve, që duan të jenë në krye të Kosovës.
Madje ka thënë se në mesin e atyre që tashmë kanë dërguar kandidaturat ka edhe emra të njohur të futbollit botëror, por që nuk dëshirojë t’i bëjë të ditur.
“Rreth 50 kandidatura i kemi pranuar deri më tani dhe mund të them se jam i befasuar për të mirë, pasi ka emra shumë të rëndësishëm të futbollit që kanë aplikuar dhe kjo do të thotë se Kosova po vlerësohet. Ne tashmë kemi filluar shqyrtimin e kandidaturave, të cilat do t’i pranojmë deri para festave të dhjetorit”, është shprehur Ademi. “Sigurisht që presim ende kandidatura dhe ka gjasa që ky numër të dyfishohet deri në fund të muajit të ardhshëm. Ne do t’i mirëpresim të gjitha deri atëherë dhe pastaj do të fillojmë me selektimin e tyre. Nuk është korrekte t’i zbulojë emrat që kanë aplikuar, por ka emra të njohur”.
Sipas Ademit, në fillim të vitit të ardhshëm do të bëhet një listë e ngushtë prej të gjithë kandidatëve, përpara se t’i fillojnë negociatat. Ai insistoi se Kosova do ta ketë përzgjedhësin për ndeshjet e muajit mars.
“Pasi ta mbyllim aplikimin do të bëjmë një listë të ngushtë. Ajo listë do të përbëhet prej pesë trajnerëve, me të cilët do t’i nisim negociatat dhe pastaj do të shohim. E rëndësishme është se Kosova do të jetë me trajner vitin e ardhshëm, i cili do të jetë në krye të ekipit prej ndeshjeve të Ligës së Kombeve”, u shpreh Ademi. Ndeshjet e para në Ligën e Kombeve janë në qershor.
Përpara se të vendosë për emrin e trajnerit, Ademi tha se FFK-ja do t’i shikojë disa faktorë. Kontrata mund të jetë deri në verën e vitit 2024 ose më e shkurtër, varësisht prej marrëveshjes. Sipas tij, njëri prej faktorëve kryesor është që trajneri duhet ta njohë edhe Kosovën, saktësisht mentalitetin e “Dardanëve”.
“Do ta marrim parasysh faktorin ekonomik, profesional dhe rezultativ. Mirëpo, gjithashtu edhe njohjen e Kosovës, pra mentalitetit tonë. Këto do t’i marrim parasysh para se të ulemi për ta firmosur kontratën”, shtoi kryetari i FFK-së.
Përfaqësuesja e Kosovës të dielën e shkuar i mbylli kualifikimet për Kampionatin Botëror “Katari 2022”. Përfundoi e fundit në Grupin B, me katër pikë të mbledhura. Për Kosovën ky ishte cikli i dytë eliminator për Kampionatin Botëror pas atij të vitit 2018 që u mbajt në Rusi.
Ndonëse e fundit në grup, Kosova vlerësohet me potencial. Ajet Shosholli, Bylbyl Sokoli, Muharrem Sahiti, Edmond Rugova, Albert Bunjaki, Bernard Challandes janë selektorët e deritashëm të Kosovës. Me shumë gjasë edhe trajneri i ardhshëm do të jetë i huaj.