Një kontroll i trafikut në Gurrakoc të Istogut ka çuar në zbulimin dhe sekuestrimin e një arme zjarri, ndërsa drejtuesi i veturës është proceduar për posedim të paautorizuar të armës.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se rreth orës 17:40, patrulla e trafikut rajonal në Pejë ka ndaluar për kontroll një VW Golf, ngjyrë hiri, të cilin po e drejtonte Elvis Maxharraj, 36-vjeçar.

Pas verifikimit është konstatuar se 36-vjeçari kishte patentë shoferin të konfiskuar, ndërsa gjatë procedurave për konfiskimin e automjetit është kontrolluar edhe vetura.

Në fiokën në anën e pasagjerit është gjetur një pistoletë me karikator dhe gjashtë fishekë të kalibrit 9 mm, ndërsa pranë frenit të dorës janë gjetur edhe nëntë fishekë me gaz.

I dyshuari është shoqëruar për intervistim dhe, sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, ka deklaruar se arma është e tij dhe se e kishte blerë në mënyrë të rregullt.

Ai ka thënë se dokumentacionin për pajisje me leje e kishte dorëzuar dhe se procedura ishte ende në zhvillim, por në momentin e kontrollit nuk posedonte kartelën përkatëse për mbajtjen e armës.

Sipas deklarimit të tij, armën e kishte marrë me vete pasi ishte duke e renovuar shtëpinë dhe nuk ishte ndier i sigurt ta linte aty. Ai ka përmendur gjithashtu rrethana familjare si arsye shtesë për shqetësimin e tij.

Pas konsultimit me Prokurorin e Shtetit, rasti është iniciuar për “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës”, ndërsa i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Related Posts